Buka që prodhohet në Kosovë nga fabrikat dhe furrat e bukës shpesh është vënë në dyshim për mungesë cilësie, sidomos tek aditivët që i shtohen bukës jashtë standardeve.
Tashmë ka një iniciativë nga deputetët e Kuvendit për ta plotësuar Ligjin për Pasurimin e Miellit, i cili do ta adresojë këtë problematikë.
Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli ka thënë se me propozimet e reja në ligj pritet të vendoset një standard i ri për bukën që prodhohet në Kosovë.
Sidomos tek cilësia e miellit që përdoret për të gatuar dhe aditivët që i shtohen e që përcaktojnë cilësinë e bukës.
“Mungesa e hekurit, acidit folik dhe vitaminat tjera të nevojshme në miell ndikojnë në shëndetin tonë duke qenë se buka është ushqimi primar dhe kryesor i yni. Kemi filluar mbikëqyrjen e Ligjit për Pasurimin e Miellit dhe pas përfundimit të këtij procesi do ta plotësojmë Ligjin për Pasurimin e Miellit dhe do të vendosim standard për bukën në Kosovë”, ka thënë Pacolli.
Ndryshe problem mbetet edhe mungesa e kontrollëve të furrave nga inspektorët e AUV për shkak të kapaciteteve të kufizuara në staf. /Buletini Ekonomik/