Qytetarët ankohen për shtrenjtimin e biletave, kompanitë e autobusëve thonë se ishte e domosdoshme

Kosova po vazhdon të preket nga rritja e çmimeve në të gjithë sektorët. E nga kjo rritje nuk po shpëtojnë as udhëtarët të cilët autobusin e përdorin si mjet transporti, madje disa linja të autobusëve veç kanë filluar të rrisin çmimin e biletave, e disa të tjera do ta bëjnë këtë së shpejti.

Qytetari Altin Hoti nga Komuna e Skenderajt tha për Telegrafin se është papërballueshme ngritja e çmimit të biletës. Ai thotë se është nxënës dhe i duhet të udhëtoj për çdo ditë për në Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

“Për mua që udhëtoj çdo ditë rritja është jo normale. Edhe ka ndikim sepse për çdo ditë udhëtimi tani edhe po kushton. E për studentë dhe nxënës kjo rritje është shumë keq. Unë jam nxënës për momentin por po ndikon udhëtimi. Pagesa e 1.50 euro për biletë mundet të jetë për diçka tjetër. Por, shpresoj se kjo gjendje do të bëhet më mirë”, shprehet Hoti.

Edhe për Burbuqe Jahën e cila udhëton nga Gjakova për në Prishtinë, nuk është e arsyeshme rritja e çmimit të biletave.

“Nuk po e shoh të arsyeshme rritjen e çmimit të biletës, ndonëse të ardhurat ekonomike janë shumë të vogla nuk i mbulon asgjë. Realisht, ne sot jemi me çmim të vjetër praj Gjakovës në Prishtinë. Sot për sot me këtë linjë nuk ka ndryshuar çmimi e për më tutje si do të vendosin nuk e di”, thotë Jaha.

Kurse, Milazim Dërrmaku nga qyteti i Kamenicës thotë se rritja e çmimit nuk është e drejtë, por që sipas tij fajtor është shteti.

“Nuk është e drejtë, por nafta është rritur edhe çmimi i biletave duhet të ngritët. Nuk janë fajtor transportuesit, fajtori kryesor është shteti. Të mjerët populli”, pohon qytetari Dërrmaku.

Sipas pronarit të kompanisë “Lipjani”, Shaban Dreshupaj rritja e çmimit të biletës është normale, kjo pasi ai e vlerëson se duhet të transportojë tre udhëtarë për një litër naftë.

“Çmimi i biletave është rritur sepse edhe ju e dini që çmimi i naftës është rritur, tash një litër naftë kushton 1.35 centë. Bileta ka mbetur shumë e ulët tash na punojmë me 50 centë apo 70 centë. Tash duhet me i marrë tre udhëtarë për një litër naftë. Kjo nuk është në rregull edhe patjetër që duhet me u rrit ky çmim i biletës”, deklaroi Dreshupaj.

Ai thotë se kjo ngritje është ndikuar nga pandemia COVID-19.

“Por edhe pandemia COVID-19 na ka dëmtuar shumë dhe na ka lënë prapa. Ishin shumë numër i vogël i udhëtarëve e shpenzimet e mëdha. Ne nuk e kemi rritur çmimin por është shumë e arsyeshme me e ngrit çmimin. Nëse mbet nafta kështu duhemi me e ngritë sepse s’kemi zgjidhje tjetër”, përfundoi Dreshupaj.

Ditë më parë, kompania e udhëtimit “Sharr Travel” që transporton udhëtarë nga Prishtina në Gjakovë ka njoftuar që bileta e autobusit është shtrenjtuar nga 4 euro në 5 euro.

“Bazuar në çmimet e larta të furnizimit me derivate të naftës e që për transport të udhëtarëve me autobusë është lëndë e parë furnizuese, nga sot çmimi i biletës Prishtinë-Gjakovë është 5 euro”, kishte njoftuar kompania Sharr Travel.