Rreth 60 operatorë ilegalë të resurseve të Kosovës me vite të tëra sfidojnë shtetin e pushtetin

Operatorët ilegalë vazhdojnë ta sfidojnë në gjithë këto vite shtetin dhe pushtetin, duke shfrytëzuar resurset e lumenjve të Kosovës, rërën dhe zhavorin, duke ç’ekuilibruar ndjeshëm rrjedhat normale dhe të natyrshme të lumenjve tanë, duke degraduar agresivisht shtretërit e këtyre lumenjve dhe duke rrezikuar dhe kërcënuar ambientin dhe natyrën përgjatë këtyre lumenjve.

Mehmet GJATA

Në Kosovë tani e shumë vjet më parë, pothuajse në të gjitha vitet e pasluftës, kanë operuar dhe vazhdojnë të jenë aktivë shumë e shumë operatorë ilegal, të jashtëligjshëm të shfrytëzimit të resurseve të vendit, më së shumti të rërës dhe të zhavorit nga lumenjtë tanë të shumtë. Ata vazhdojnë ta sfidojnë në gjithë këto vite, që nga paslufta, shtetin dhe pushtetin, duke shfrytëzuar resurset e lumenjve të Kosovës, rërën dhe zhavorin, duke ç’ekuilibruar ndjeshëm rrjedhat normale dhe të natyrshme të lumenjve tanë, duke degraduar agresivisht shtretërit e këtyre lumenjve dhe duke rrezikuar dhe kërcënuar ambientin dhe natyrën përgjatë këtyre lumenjve. Dhe, këta, operatorët ilegal, ata që nuk janë të licencuar fare dhe as që kanë mëtuar për t’u pajisur me licenca dhe leje të tjera për ushtrimin e veprimtarisë, pra sot e kësaj dite, për asnjë moment dhe në asnjë rast nuk kanë paguar asnjë detyrim të vetëm ndaj shtetit për gjithë këtë shfrytëzim të resurseve të tij.

Reklama e sponzorizuar

Nuk kanë paguar kurrë dhe në asnjë rast taksën minerare të paraparë për çdo operatorë të rregullt, por as obligimet e tjera ndaj shtetit dhe komunës në të cilën shfrytëzojnë këto resurse.

Sipas të dhënave të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), aktualisht janë të evidentuar rreth 60 e ca operatorë ilegalë. Ata, të gjithë janë të njohur, me emër dhe mbiemër, jo vetëm për inspektorët e KPMM-së, por edhe për organet e drejtësisë të Kosovës dhe të komunave, prej nga janë këta operatorë. Dihen për ta edhe të dhënat e tjera, që i bëjnë lehtësisht të identifikueshëm këta keqbërës, si për llojin dhe markën e automjeteve dhe makinerive që përdorin, lokacioni i saktë dhe resursi të cilin jashtëligjshëm e shfrytëzojnë.

Ka nga këta operatorë, shumë prej tyre recidivistë, të cilët qe 20 e sa vjet operojnë ilegalisht dhe vazhdojnë veprimtarinë, pavarësisht se inspektorët e KPMM-së i kanë zënë duke operuar dhe duke shfrytëzuar jashtëligjshëm resurset e lumenjve tanë, i kanë dënuar dhe lëndët e tyre i kanë dërguar në gjykatat kompetente. Por, kjo veprimtari, sot e kësaj dite nuk është ndërprerë nga ta.

Për çdo vjet, herë më shumë e herë më pak numerikisht, qe 20 vjet ata vazhdojnë të degradojnë në përmasa të pamata lumenjtë tanë, për t’i sjellë në gjendjen që duhet miliona euro investime për sanimin e degradimit të tyre.

Sipas të dhënave të KPMM-së, vetëm gjatë vitit 2019 në Kosovë janë evidentuar 194 operatorë ilegalë-shfrytëzues të resurseve të lumenjve tanë, kryesisht të zhavorit dhe rërës së tyre.

Në institucionet kompetente për parandalimin e veprimtarisë së operatorëve ilegalë, theksojnë se një pjesë të mirë të fajit për numrin kaq të madh të tyre e kanë edhe gjykatat kompetente, të cilat fare lehtë i heshtin, ose i amnistojnë veprat e rënda të tyre. Sipas zyrtarëve, në të shumtën e rasteve, raportet e inspektorëve të KPMM-së kundër këtyre operatorëve të jashtëligjshëm kanë qenë shumë të argumentuara dhe vështirë të kontestueshme. Megjithëkëtë, në shumë e shumë raste ata janë amnistuar nga organet e drejtësisë dhe fill pas këtyre proceseve gjyqësore “të fituara”, kanë vazhduar veprimtarinë ilegale të ushtruar me vite të tëra më parë.

Në raste shumë të rralla, ose në fare pak raste, ka ndodhur që me t’u zënë nga inspektorët e KPMM-së, ndonjë operator iu ka përmbajtur udhëzimeve të inspektorëve, ka paguar obligimet ndaj shtetit dhe ka aplikuar për t’u pajisur me licencën e kërkuar. Por, këto raste, thuaja se janë të vetmuara dhe shumë të rralla, ndërkohë që numër absolutisht i madh i operatorëve ilegalë vazhdojnë të operojnë para syve të institucioneve shtetërore, duke degraduar në përmasa shqetësuese lumenjtë e Kosovës. /Buletini Ekonomik/