Shqipëria, nga vendet me rritjen më të ulët të çmimeve në Europë

Dyqan i produkteve ushqimore

Ndonëse pothuajse të gjitha produktet janë shtrenjtuar, Shqipëria rezulton ndër vendet që ka pasur rritjen më të ulët të çmimeve në Europë, sipas të dhënave të fundit të INSTAT, që publikon indeksin e harmonizuar të Çmimeve të Konsumit. Sipas këtij indeksi, për Shqipërinë  Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Janar 2022 është 3,8 %, e katërta më e ulët në Europë (pa përfshirë vendet e rajonit).

Kjo shifër është pothuajse e njëjtë me Indeksin e Çmimeve të Konsumit të INSTAT, që në janari ishte 3.7%, niveli më i lartë në më shumë se një dekadë.

Në Europë, rritja më e lartë e çmimeve është shënuar në Lituani, me rreth 12%, e ndjekur nga Estonia, me rreth 11%, Çekia me 9%. Më pak në Europë e ka ndier rritjen e çmimeve Zvicra, nën 2%.

Reklama e sponzorizuar

Më herët, Eurostat njoftoi se Inflacioni në zonën euro arriti në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, i ndikuar nga çmimet e energjisë. Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore të rritjes në janar (28.6%, krahasuar me 25.9% në dhjetor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (3.6%, krahasuar me 3.2% në dhjetor. ), shërbimet (2,4%, e qëndrueshme krahasuar me dhjetorin) dhe mallrat industriale joenergjetike (2,3%, krahasuar me 2,9% në dhjetor).

Shqipëria është e ndikuar ndjeshëm nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore, për shkak të peshës së lartë në shportën e mallrave të konsumit, në 42% të totalit, nga 13% që është mesatarja europiane.

Rritja në Shqipëri

Sipas INSTAT, bazuar në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin Janar 2022 është 3,8 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 7,2 % vërehet në  grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 5,7 %, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3,1 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,0 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,3 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,3 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,6 %, pasuar nga grupi “Shëndeti” me 0,4 %.

Në muajin Janar 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,5 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,9 %, pasuar nga grupi “Transporti” me 0,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,4 % secili, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,2 %.  Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,3 %.