Shqipëria prodhoi 6.5% më shumë energji elektrike sesa konsumi më 2021, eksportoi rreth 1/3 e sasisë

Shqipëria prodhoi vitin e shkuar 8.9 milionë MWh energji.

Kjo sasi është 6.5 për qind më e lartë sesa konsumi total në vend, i cili u luhat në pak më shumë se 8.4 milionë MWh. Në 2021-in, kur prodhimi ka tejkaluar konsumin, paratë e shpenzuara për blerjet në tregun e lirë ishin rreth 225 milionë euro një shifër rekord kjo e shpenzuar ndonjëherë për blerje energjie.

Pavarësisht vitit të vështirë, të njëjtat të dhëna zyrtare tregojnë se nga linjat e interkonjeksionit nga vendi ynë ka dalë një sasi prej 2.8 milionë MWh energji. Në totalin e prodhimit llogaritet të jetë eksportuar rreth 1/3 e kësaj sasie apo 31.2 për qind, kryesisht në pjesën e parë të vitit kur kishte reshje të bollshme.

Reklama e sponzorizuar

Një panoramë e tillë jo në pak raste ka ngritur pikëpyetje për mënyrën si është menaxhuar situata por qeveria ka argumentuar se ndikimi kryesor i ekspozimit financiar për blerje energjie gjate 2021 ka ardhur si pasojë e zhvillimeve në tregjet e huaja dhe presionit të çmimeve stratosferike në bursa, në gjysmën e dytë të vitit.

Shqipëria si një importues neto i energjisë, zakonisht furnizimin e vet në kohë të vështira e bazon në tregjet jashtë, por këtë vit për shkak të rritjes së kërkesës për energji nën efektin e post-pandemisë, futjes në fuqi të certifikatave të gjelbra për disa prodhues në Europë, prodhimit më të ulët historik në disa dekada nga eolikët, çmimet në këto tregje arritën nivele të jashtëzakonshme ku gara ishte te sigurohej energji, pavarësisht kostos.

Prodhimi, pesha e palëve

Konkretisht vetë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka prodhuar 5.3 milionë MWh. Ndërkohë që ka kaluar tek Furnizuesi i Shërbimit Universal(pjesw e OSHEE) 3.9 milionë MWh apo rreth 47 për qind e konsumit.

Rreth 26 për qind e prodhimit vendas që është injektuar në tregun vendas ka ardhur nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë hidrocentralet deri në 15 MW të cilëve Furnizuesi i Tregut të Lirë ua ble energjinë me një çmim që vendoset çdo vit sipas metodologjisë që ka në bazë bursën hungareze. Po kështu një sasi minimale energjie prej 40 mijë MWh blihet po nga FTL nga fotovoltaikët me një çmim 76 euro MWh.

Ajo që ka bërë diferencën në gjithë këtë panoramë ka qenë blerja nga tregu i lirë i cili nga shtatori në dhjetor kishte çmime jashtëzakonisht të larta mbi 350 euro MWh. Nga tetori kur qeveria nxori vendimin për shpalljen e emergjencës në furnizim, prodhuesit e pavarur ku bëjnë pjesë prodhues me kapacitet mbi 15 MWh të tillë si Devoll Hydropower, Ayen Enerji dhe Kurumi kanë shitur energjinë në vend me çmimet e bursës. Kjo ndodhi në kushtet kur nuk ishte më çështje çmimi por sigurimi furnizimi pasi u ngrit alarmi për mungesë dispunueshmerie.

Në tregun e liberalizuar Furnizuesi i Tregut të Lirë siguroi 1.13 milionë MWh energji. Të paktën 13.5 për qind e gjithë konsumit është siguruar në tregun e liberalizuar. /Monitor.al/