Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, pas publikimit të një drafti të Ligjit për paga dje nëpër media, ka reaguar duke kërkuar që të bëhen ndryshime në Ligjin e Pagave dhe jo të bjerë ai.
Sipas tij, zhvendosja e debatit për Ligjin e Pagave në media pa ndodhur dialogu i mirëfilltë me partnerët institucionalë dhe me Kuvendin, e minon procesin që në nisje të tij.
“Mos reflektimi në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Institucionet e Pavarura Kushtetuese, është tendencë e qartë për ta dështuar ligjin. Madje, edhe vetë shtojca 8, paga e drejtuesit të lartë në ministri, është më e madhe se në Agjencitë e Pavarura Rregulluese”, ka shkruar Tahiri në Facebook. “Ky proces, pa parime të qarta, se cila është baza e nisjes llogaritëse (vlera e koeficientit). Rritja e hendekut të pagave nga 1 me 10 në 1 me 20; më tepër synon akomodimin e diskriminimit, sesa parimit paga e njëjtë për punën e njëjtë. Vendosja e koeficientit asokohe 239, ka qenë niveli bazë i pagës minimale brenda administratës shtetërore”, ka shkruar ai në një postim në facebook.
Tahiri thotë se duhet pasur kujdes, në veçanti tek akomodimi i nivelit politik dhe problemet tek shtojca e arsimit, shëndetësisë e policisë.
“Është e rëndësishme që parashikueshmëria e pagës, të mos rrezikohet në procesin e amandamentimit, çështje që asokohe është hequr gjatë dy leximeve, përkundër insistimit tim dhe qeverisë. Duke qenë se ky proces konsolidon themelet e pagesës për administratën shtetërore, por edhe mishërimit me këtë çështje, kemi gjithë përkushtimin për të kontribuar që ky ligj të dalë në dritë”, ka shkruar Tahiri.
Sipas Tahirit, është e domosdoshme të rritet vlera e koeficientit, të komunikohet qartë procesi e të mos krijohen paqartësi, të nisen diskutime serioze mbi parimet që rregullojnë procesin, të reflektohen në tërësi problemet e identifikuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si dhe të reflektohen pikëpamjet e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.