Kohëve të fundit në Kosovë është vërejtur rritje e çmimeve të produkteve bazë të ushqimit, të cilat janë vazhdimisht në tryezat e qytetarëve.
Këtë e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke thënë se kjo rritje është vërejtur te produktet e bukës, mishit, vajit ushqimor dhe energjisë elektrike.
Sipas kryetarit të OJQ “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku rritja e çmimit të artikujve lidhet drejtpërsëdrejti me mungesën e rezervave shtetërore dhe të tregut vendor.
“Ne e kemi një të ashtuquajtur rezervë shtetërore e cila nuk funksionon, sepse nuk mjafton. Me rezerva shtetërore ne kishim mundur të bëjmë diçka dhe të intervenojmë. Paraprakisht ne e kemi pasur për detyrë të mendojmë për bujqësinë. Ne nuk kemi prodhime bujqësore të mjaftueshme për vete, prandaj varemi nga importi. Në vend të asaj që në vend të prodhimeve sociale bie fjala pataten e prodhojmë vetë por ajo patate nuk na mjafton dimrit. Është jo e logjikshme për mua, nëse e dimë që patatja ka qenë çdo herë në nivel të çmimeve të artikujve themelorë ushqimorë ndërsa sot e importojmë dhe në shitje me pakicë shkon deri shkon me çmim gati deri 1.2 euro, gati katër bukë popullore”, tha Kaçaniku për Telegrafin.
Në kuadër të kësaj Kaçaniku e pohoi faktin që do të jetë e papërballueshme për familjet kosovare. Ai ka shtuar se familjeve u është varfëruar ende shporta dhe kanë falimentuar tanimë.
“Po ju them që shtresa që dikur ne e quanim, familje e varfër mes tyre, 30 për qind ekstremisht të varfër dhe ata tanimë kanë falimentuar. Pra ne tani nuk duhet ta kërkojmë fajin te ndikimet botërore apo tregu botëror, por duhet ta kërkojmë fajin te tregu i brendshëm”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër qytetarja Fexhrie Gashi, në Tregun e Gjelbër në Prishtinë tha se kjo rritje e çmimeve është e tepërt dhe ajo vet nuk po mundet ta përballon këtë gjë.
“Tepër, tepër shumë ka ndikuar. Nuk mund të marrësh asgjë. Në shitore një kafe nuk mund ta blesh, po ashtu sheqer. Kjo është e tepërt”, u shpreh Gashi.
Kurse qytetari Bahtir Rama tha se rritja e çmimeve ka ndikim të madh te ta, por se nuk po kanë çfarë të bëjnë.
“Mjaftueshëm po ka ndikim rritja e çmimeve dhe po na pengon po s’po kemi çfarë të bëjmë. Ngritje më të mëdha të çmimit kam vërejtur te specat, te mollët, bananet dhe të gjitha nga pak. Për pensionerë dhe për të varfrit gjithçka është e shtrenjtë. Edhe pas shtrenjtë, specat janë pjesë e tryezës time edhe fort madje po s’kam qare pa i ble sepse i ha shumë”, tregoi Rama për Telegrafin.
E ndërsa Lutfi Berisha pohon se nuk i ka vërejtur ngritjen e çmimeve, pasi sipas tij ka kushte të mira ekonomike.
“Jo, nuk kemi pengesa sepse jam vetë i dyti vetëm me zonjën time. Kështu që nuk kam pengesa, kam të ardhura relativisht të mira. Në asnjë produkt nuk kam vërejtur shtrenjtim, për llogarinë time jo”, thotë qytetari Berisha.
ASK thotë, se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar me vitin paraprak ishte 7.1 për qind.
Ndërkohë në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), janar 2022”, shihet që ngritje të çmimit në produktet ushqimore më së shumti vërehet në artikujt si buka, ku në vitin 2021 ajo kushtonte 0.36 euro kurse në vitin 2022 ajo kushton 0.42 euro, edhe në vezë gjithashtu është vërejtur rritje e çmimit ato në vitin 2021, 30 copa vezë kushtonin 2.92 kurse këtë vit ato kushtojnë 3.02. Për sa i përjetë pemëve dhe perimeve ngritje çmimesh ka pasur në banane, mollë, dardhë, patate domate, fasule dhe në speca.