Vendimi për rritjen e çmimit të rrymës mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai këtë deklarim e ka bërë në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku ka thënë se si parti opozitare kanë adresuar çështjet dhe do të shkojnë edhe më tej, shkruan lajmi.net.

Tahiri ka bërë të ditur gjithashtu se në seancën e së enjtës së kësaj jave do të diskutohen edhe dy projekt-rezolutat për shtrenjtimin e energjisë ku pret reflektimin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me shtrenjtimin e rrymës.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, Tahiri ka deklaruar se edhe Gjykata Kushtetuese është një prej opsioneve që po shqyrtohet për adresimin e shtrenjtimit të rrymës, pasi ai konsideron se çmimet janë të papërballueshme për qytetarët.

“Se çfarë bën një parti opozitare, ne e kemi bërë. Kemi adresuar çështje që mendojmë se janë të rëndësishme. Ky çmim është i pakapshëm për qytetarët e Kosovës dhe ne do t’i shfrytëzojmë mekanizmat, e një prej tyre është edhe adresimi tek Gjykata Kushtetuese.”, tha ai.

Ndër të tjera, Tahiri ka thënë se qeveria nuk është transparente sa i përket hartimit të Ligjit të Pagave.