Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se ka filluar auditimin e performancës në Komunën e Ferizajt, më konkretisht auditimin publik për projektin “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”, ku fokus kryesor i auditimit do të jenë të gjitha fazat e projektit prej fillimit deri në përfundim të tij.
Projekti i Bashkimit të qytetit është rezultat i bashkëpunimit në mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, dhe sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, kjo e fundit është përgjegjëse për aspektin financiar të projektit ndërsa Komuna e Ferizajt për procedurat e prokurimit, përfshirë edhe menaxhimin e kontratës.
Nga ZKA thonë se objektiv i këtij auditimi është që të vlerësohet nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit “Bashkimi i qytetit”. Komuna e Ferizajt pati filluar zbatimin e këtij projektit tek në vitin 2018, ku një pjesë e tij është inauguruar në vitin 2021 ndërsa tani ende është duke u punuar edhe në pjesët e fundit që projekti të përfundohet në tërësi.
Sipas njoftimit nga ZKA-ja, ndërtimi i projektit “Bashkimi i qytetit” ka për qëllim uljen e aksidenteve në trafik, rritjen ekonomike të të hyrave të komunës përmes qirave dhe parkingjeve nëntokësore, uljen e fluksit të automjeteve dhe lehtësimin e qarkullimit për automjetet që janë në transit.
Projekti në fjalë, i lidh dy pjesët e qytetit të ndara nga hekurudha dhe i gjithë projekti ka vlerën mbi 5.5 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
“Aktivitetet e prokurimit në Komunën e Ferizajt, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra/shërbime/punë e arrin qëllimin e përcaktuar të Autoritetit Kontraktues”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.
Ndërsa, sa i pëket pjesës së fillimit të auditimit publik, ZKA thotë se kjo është bërë duke marrë parasysh vlerën e lartë të projektit, rëndësinë që ka ai për qytetarët e Ferizajt si dhe duke qenë se është prej projekteve të rralla të kësaj natyre dhe të përmasave të tilla.
Ndërkohë, subjekt i këtij auditimi do të jetë Komuna e Ferizajt me njësitë vartëse siç janë: Departamenti i Prokurimit, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Infrastrukturës, si dhe Departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të cilat përfshihen në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit.
Kurse, për të siguruar se zyrtarët e zgjedhur veprojnë në interesin më të mirë të qytetarëve që ata i përfaqësojnë, Auditori i Përgjithshëm thotë se administrata publike duhet të jetë llogaridhënëse për administrimin dhe përdorimin e fondeve publike.
“Në këtë aspekt, Zyra Kombëtare e Auditimit është e përkushtuar që përmes auditimit të projekteve kapitale të një rëndësie si financiare ashtu edhe sociale të forcojë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e administratës publike dhe aty ku është e mundshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive dhe efikase”, përfundon njoftimi i ZKA-së. /Buletini Ekonomik/