100 mijë euro produkte “Made in Kosova” për ukrainasit

Bëhet e ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ndarjen e 100 mijë eurove për të ndihmuar qytetarët e Ukrainës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se të hollat i shpërndahen shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, e cila do të merret me organizimin/blerjen e produkteve “Made in Kosova”, të cilat më pas, përmes transportit rrugor, do të nisen për në Ukrainë.

Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se Kosova është shtet që e kupton luftën për liri dhe drejtësi dhe e kupton secilin qytetar që detyrohet të braktisë shtëpinë e tij për shkak të një agresori.

Reklama e sponzorizuar

“Republika e Kosovës, nëpërmjet kësaj ndihme simbolike, shpreh solidaritetin dhe përkrahjen për popullin e Ukrainës”, ka thënë Gërvalla.

Me inicimin e MPJD-së, Qeveria ka pezulluar vizat për qytetarët e Ukrainës, ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, dhe gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Federatës Ruse.