Ministria e Tregtisë: Furnizimi me produkte esenciale është i rregullt, disa operatorë ekonomikë e shfrytëzuan situatën për të krijuar panik

Fotografi ilustruese

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se përmes Inspektoratit të Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera.

Gjatë ditës së djeshme dhe para dy ditëve në Kosovë, qyetarët raportuan vazhdimisht për ngritje ekstreme të çmimeve të disa produkteve esenciale nëpër markete e supermarkete.

Pas këtyre raportimeve për abuzim me çmime nga dyqanet, në mbrëmje u aktivizuan Inspektorati i Tregut, Policia dhe Prokuroria e shtetit, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave nga terreni, Ministria e Tregtisë thotë se disa operatorë kanë zbrazur dje qëllimisht raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit, kurse sot të njëjtat kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër.

Ata njoftojnë se vaji ushqimor i shitur dje është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër.

Sipas MINT-it, këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj, si dhe gjetjet e deritanishme thonë se i kanë drejtuar te organet e ndjekjes, për hetimin e veprave penale.

Nga MINT ftojnë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm, pasi qytetarët nuk kanë nevojë të furnizohen me rezerva të produkteve ushqimore esenciale. Ata shtojnë se furnizimi me këto produkte është i rregullt, por disa operatorë ekonomikë kanë shfrytëzuar situatën në mënyrë të egër, duke ndjellë panik te qytetarët – njëherë duke fshehur mallin e pastaj duke e rikthyer me çmim tejet të lartë.

Tutje, për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, ministria lut qytetarët që ta raportojnë menjëherë rastin në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/

Përmes një njoftimi për media, MINT gjithashtu fton edhe bizneset që të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme.

Sipas MINT, të gjitha organet kompetente – MINT dhe Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës – janë duke vëzhguar gjendjen dhe po marrin masat e duhura sipas ligjit dhe se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik. /Buletini Ekonomik/