Sot nis regjistrimi i shumëpritur i popullsisë në Kosovë

Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kohët e fundit, qoftë nëpërmjet konferencave për shtyp, qoftë me prononcime dhe deklarata të shpeshta, janë shprehur se janë tërësisht të përgatitur dhe të gatshëm për ta realizuar suksesshëm regjistrimin e popullsisë në Kosovë. Në regjistrim do të marrin pjesë 3.536 regjistrues, prej tyre 2.967 aktivë, ndërsa procesin do ta vëzhgojnë 891 mbikëqyrës, prej të cilëve 600 do të jenë aktivë.

Buletini Ekonomik

Pas disa shtyrjeve, që nga viti 2021, kur ishin mbushë 10 vjet nga regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë (2011), siç kanë paralajmëruar këto ditët dhe javët e fundit zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më në fund nis sot të realizohet ky proces dhe do të vazhdojë deri më 17 maj 2024.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kohët e fundit, qoftë nëpërmjet konferencave për shtyp, qoftë me prononcime dhe deklarata të shpeshta, janë shprehur se janë tërësisht të përgatitur dhe të gatshëm për ta realizuar suksesshëm regjistrimin e popullsisë në Kosovë.

Avni Kastrati, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Burim Limolli, udhëheqës i grupit punues për IT, Idriz Shala, udhëheqës i GIS në ASK, në një konferencë shtypi, të mbajtur në ambientet e ASK-së ditë më pare, kanë paraqitur një mori shifrash dhe të dhënash për regjistrimin e pritshëm, duke u shprehur të bindur se janë përgatitur mjaftueshëm, se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme, se janë bërë shumë e shumë trajnime të stafit dhe të regjistruesve numerikisht të shumtë, të cilët do të angazhohen në këtë operacion, të vlerësuar si shumë të rëndësishëm, madje, siç u tha, edhe më i rëndësishëm se zgjedhjet nacionale në vend. Prandaj, sipas tyre, nuk ka se si mos të përmbyllet suksesshëm ky regjistrim, kur dihet se tashmë janë të gjithë të gatshëm, janë siguruar mjetet logjistike, tabletët, laptopët dhe mjetet e tjera.

Zyrtarët e ASK-së, siç u deklaruan përfaqësuesit e këtij institucioni, nuk presin ndonjë sfidë të papërballueshme gjatë regjistrimit. Janë të sigurta tashmë edhe mjetet e nevojshme që do të mbulojnë koston e këtij regjistrimi në shumën e 12 milionë e 767 mijë euro. Këto mjete i ka dhënë Qeveria e Kosovës (diku rreth 95 për qind) dhe 5 përqindëshi i tyre janë donacione.

Sipas zyrtarëve, për finalizimin e shumë aktiviteteve rreth përgatitjeve, përveç institucioneve vendore duke filluar nga Qeveria dhe ministritë, kontribut të çmuar kanë dhënë edhe agjencionet dhe institucionet ndërkombëtare.

Në ASK kanë thënë se projekti për regjistrimin e popullsisë është i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe në dy rregullore, ndërsa përgatitjet kanë filluar që më 2019, dhe ato janë zhvilluar në faza edhe më 2020. Janë bërë disa teste dhe një pilot-projekt paraprakisht.

“ASK-ja i ka implementuar rekomandimet ndërkombëtare dhe ka një konsistencë nga regjistrimi i kaluar i vitit 2011 për shkak të krahasueshmërisë së pyetjeve”, kanë thënë zyrtarët e ASK-së.

“Në fokus të këtij regjistrimi sivjet do të jenë tri subjekte, e para- popullsia, pastaj ekonomitë familjare dhe të gjitha banesat, shtëpitë dhe objektet fizike që duken mbi tokë”, tha Kastrati.

Sipas zyrtarëve të ASK-së, ky regjistrim do të jetë digjital dhe tashmë janë të siguruar tabletët (3.500 sish), 700 laptopë, kompjuterët, serverët dhe pajisjet e tjera të nevojshme. Aplikacioni i paraparë për këtë regjistrim është i instaluar brenda çdo tableti.

Edhe në këtë regjistrim, përveç banorëve rezidentë, do të regjistrohen edhe kosovarët e diasporës, qoftë nëpërmjet komunikimit online, qoftë nëpërmjet pyetje-përgjigjeve të familjarëve.

Risi do të jetë se në këtë regjistrim do të përfshihen edhe banorët e komunave në veri të Kosovës. Në regjistrim do të marrin pjesë 3.536 regjistrues, prej tyre 2.967 aktivë dhe të tjerët do të jenë rezervë. Procesin do ta vëzhgojnë 891 mbikëqyrës, prej të cilëve 600 do të jenë aktivë.

Zyrtarët e ASK-së kanë thënë se rezultatet paraprake do të shpallen 3 muaj pas regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare 9 muaj pas regjistrimit. /Buletini Ekonomik/