AKK dorëzon kallëzim penal kundër Rozeta Hajdarit, reagon ministrja

Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Ajo dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.

Drejtori i AKK, Yll Buleshkaj i tha Gazetës Express se kallëzimin penal e kanë dorëzuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë Buleshkaj.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, ministrja Hajdari ka reaguar më pas, duke thënë se për kallëzimin penal ndaj saj, është njoftuar nga mediat. Ajo thotë se i ka kryer të gjitha obligimet me kohë dhe deklarimet e saj gjenden në faqen zyrtare të AKK-së.

“Sot u njoftova nga mediat se Agjencia kundër Korrupcionit (AKK) ka dorëzuar kallëzim penal kundër meje për gjoja mos deklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë.  Gjatë gjithë kohës si zyrtare publike, unë kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhen në faqen e AKK-së.”, shkroi ajo në një postim në Facebook.