Blloku B1 i “Kosovës B” rikthehet në prodhim

Blloku B1, i termocentraleve “Kosova B”, për shkaqe teknike të vogla është tërhequr përkohësisht nga prodhimi dhe pas intervenimeve të ekipeve të mirëmbajtjes së KEK-ut dhe evitimit të këtyre defekteve margjinale teknike, ky kapacitet i rëndësishëm për prodhimin e energjisë elektrike është rikthyer dje në orët e mbrëmjes në procesin e punës dhe të prodhimit.

Zyrtarë të KEK-ut kanë thënë për Buletinin Ekonomik, se terheqja e përkohëshme për një ditë e këtij termocentrali nga procesi i prodhimit, thuaja se nuk ka ndikuar fare në furnizimin e konsumit të Kosovës me rrymë, pasi që e tërë energjia e munguar nga tërheqja e planifikuar e B1-shit nga puna, është kompenzuar nga sistemi energjetik i Shqipërisë në formë këmbimi.

Jo vetëm në këtë rast, këmbimi i energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri dhe bashkëpunimi i sinqertë ndërmjet këtyre dy shteteve në këtë plan po dëshmohet i suksesshëm dhe i frytshëm. Në rast të nevojave, siç ishte ky me tërheqjen e planifikuar për disa orë të B1-shit nga prodhimi, ose në rast të nevojave të sistemit elektroenergjetik shqiptar, kur Kosova ka teprica të energjisë elektrike, këmbehet energjia.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë mënyrë, edhe Kosova edhe Shqipëria evitojnë shpenzime të mëdha që do të duhej të investohen për të importuar rrymë me çmime të shtrenjta nga sistemet e ndryshme elektroenergjetike të rajonit dhe më gjerë. Siç dihet, kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dh tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë). Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht, kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra, ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.

Në anën tjetër, Kosova A, që nga pas lufta ka operuar me tri blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti i A1-shit është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4-shit është krejt identik me A3. Ndërsa A5-shi ka kapacitet në gjenerator 210 megavatë, ndërsa në rrjet 190. Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji.

Kapaciteti i prodhimit i blloqeve të Kosovës A, në të shumtën e rasteve është: A3 dhe A4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- e vjetëruar po ashtu bukur shumë. Kosova B, siç dihet, ka nisur prodhimin në vitin 1979. Ndërsa, konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë te 750 deri 800 e më shumë megavatëshi, ndërsa gjatë pikut dhe në raste gjatë sezonit të dimrit, konsumi ka shkuar edhe në 1280 megavatorë. /Buletini Ekonomik/