Sipas ekspertëve të KEK-ut, me dy- tri projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha, “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet. Pra, po qe se bëhen pa vonesa të mëdha riparimet e planifikuara në to, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045. Pse po shtyhet për të tretën herë afati i nisjes së punëve për të implementuar Projektin për vendosjen e elektrofiltrave në Kosova B, megjithë faktin se mjetet e nevojshme në shumë prej 76, 4 milionë euro janë premtuar dhe kontraktuar që më 2019 nga BE-ja?
Mehmet GJATA
Termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre (rreth 40 vjet në prodhim të pandërprerë) mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem, nëse u bëhen ca riparime të domosdoshme. Sipas ekspertëve të KEK-ut, me dy- tri projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha, “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet. Pra, po qe se bëhen pa vonesa të mëdha riparimet e planifikuara në to, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045.
Për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B duhet të vendosen elektrofiltrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me vendosjen e filtrave te B-ja, përkatësisht instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër. Pra, ishte planifikuar dhe paraparë nga ekspertë brenda dhe jashtë KEK-ut, që në kuadër të projektit të instalimit të elektrofiltrave, po ashtu të bëhet edhe ripërtëritja dhe vendosja e stabilimenteve të reja të transportit të brendshëm të hirit, dhe projekti i ashtuquajtur i DeNOx-it në kalldatë e termocentraleve B1 dhe B2. Bëhet fjalë për ndërhyrje riparuese dhe ripërtëritëse në stabilimentet e procesit të djegjes për t’i reduktuar gazrat e liruara nga linjiti.
Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B, është i siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019.
Më saktësisht, kontrata për implementimin e projektit për vendosjen e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dyja njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Europian përmes fondeve IPA.
Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave është planifikuar të fillojë në muajin qershor të vitit 2020 në bllokun B1, ndërsa më 1 mars të vitit 2021 në bllokun B2. Por, siç theksojnë në Shërbimin për informata në KEK, për arsye të pandemisë që në këtë periudhë përfshiu edhe Kosovën, ky afat u shty saktësisht për një vit. Kjo i bie që në njësinë B1 të Kosovës B, punët në projektin për instalimin e elktrofiltrave të nisin më 1 mars 2021, kurse në B2 me 1 mars 2022. Dhe edhe ky afat, edhe pse ishin të siguruara mjetet e nevojshme për këtë investim kaq të rëndësishëm, u shty sërish për një vit tjetër.
Tashmë pos pandemisë, si shkaku për shtyrjen e afatit të dytë, zyrtarët e KEK-ut apostrofojnë edhe nevojën për intervenime-riparime shtesë në kazan (dilatimeve). Dhe tani, pas kësaj shtyrjeje, të tretën me radhë, planifikohet që nisja e punëve për imlementimin e projektit për vendosjen e elektrofiltrave ne bllokun B2, të fillojë në muajin prill të vitit 2023, ndërsa kjo punë në B1 të nisë në prill të 2024-tës.
Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve kanë një kosto goxha të kushtueshme për KEK-un dhe mjetet e parapara si të nevojshme për këto riparime, diku rreth 20 milionë euro) duhet t’i sigurojë vet KEK-u.
“KEK-u me rishikim të buxhetit ka dedikuar rreth 11 milionë euro për projektin e dilatimeve (riparimet shtesë në kazanët e Kosovës B), dhe tashmë është inicuar kërkesa për këtë investim dhe ky inicim tashmë është në procedurë të prokurimit”, ka thënë për Buletinin Ekonomik, Skender Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.
Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosova B, do t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra, projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut.
Ndërsa në interesimin e Buletinit Ekonomik se pas gjithë këtyre shtyrjeve të afateve për t’ia nisur punëve për zbatimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, a mund të ketë rrezik eventual që BE-ja t’i bie pishman për t’i investuar mjetet financiare të premtuara dhe të kontraktuara, ndër zyrtarët e KEK-ut pati përgjigje të ndryshme. Derisa zëdhënësi Bucolli ishte kategorik dhe i prerë se as që mund të bëhet fjalë për ndonjë tërheqje eventuale të BE-së nga projekti megjithë këto prolongime të nisjes së zbatuari të tij, pasi sipas tij, projekti në fjalë është i BE-së, prandaj nuk mund të ndodhë tërheqja, pati edhe mendime tjera skeptike nga zyrtarë të tjerë. Një ekspert dhe njohës i mirë i zhvillimeve në KEK, në kushte anonimiteti, tha për Buletinin Ekonomik se gjithçka është e mundur, duke shtuar se askush nuk të pret pafundësisht dhe gjithnjë duhet pasur parasysh se BE-ja, përfaqësuesit kompetentë të tij, edhe mund të irritohen nga gjithë këto shtyrje të projektit dhe nuk është e pamundshme që të humbasin gjithë këto mjete të premtuara dhe të kontraktuara.
Në KEK, ishte paraparë dhe planifikuar të realizohet në të ardhmen edhe një projekt tjetër revitalizues në stabilimentet e Kosovës B, i veçuar nga projekti për ndërrimin e elektrofiltrave. Projekti që është në vizion të strukturave drejtuese të KEK-ut, i ashtuquajturi FDG (SOX) ka të bëjë me ndërrimin e impiantit të nevojshëm për reduktimin e SOX. Parashihet që ky projekt të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe të vihet në funksion, pra të kryhet si projekt më 1 janar 2028. Tash për tash, është në proces të përgatitjes dhe është futur në procedurat shqyrtuese të BE-së. Dhe tani, pas gjithë këtyre shtyrjeve të nisjes së punëve rreth vendosjes së elektrofiltrave, më nuk është i qartë as fati i këtij projekti. /Buletini Ekonomik/