Gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor duhet të integrojë tregjet e tyre të energjisë për të siguruar furnizim dhe për të ulur rreziqet në kohë të paqëndrueshme, me synim të integrimit potencial në tregjet energjetike të Europës, kanë thënë ekspertët dhe tregtuesit dje.
Lajmin e ka përcjellur Reuters, ku është raportuar se Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të gjitha vende që aspirojnë të bëhen pjesë e BE, kanë ndjerë ndikimin e rritjes së cmimeve të energjisë elektrike në Europë ndonëse ato nuk janë zyrtarisht pjesë e tregut të saj të energjisë.
Komuniteti i Energjisë (KE), mbikëqyrësi i energjisë i BE-së i krijuar për të shtrirë politikën energjetike të bllokut tek anëtarët e mundshëm, u ka kërkuar vendeve të reformojnë legjislacionin për të formuar tregje afatshkurtra që janë të nevojshme për kalimin në energjinë e gjelbër.
Ka shumë reforma që nevojiten edhe për integrimin e tregjeve, të cilat janë shumë të vogla dhe të prirura për çdo ndërprerje në furnizime apo çmime,” tha Jasmina Trhulj e KE-së në një konferencë rajonale të energjisë në qytetin boshnjak të Trebinjes.
“Integrimi do të ndihmonte sigurimin e furnizimeve, tërheqjen e investimeve dhe përmirësimin e sistemit të përgjithshëm,” shpjegoi Trhulj.
Ndërsa Serbia është më e avancuara në përafrimin e legjislacionit të saj të energjisë me atë evropian dhe aspiron të bashkohet me tregun e BE sa më shpejt që të jetë e mundur, Bosnja e ndarë etnikisht duhet së pari të krijojë një treg energjie mbarëkombëtar, thanë zyrtarët.
“Ne kemi nevojë për integrim si në nivel rajonal, por edhe në nivelin pan-evropian,” tha Milos Mladenoviç, drejtor i bursës serbe të energjisë SEEPEX, duke shtuar se Serbia nuk do të presë që rajoni të bashkohet me tregun e BE-së.
KE u ka kërkuar vendeve të Ballkanit të hartojnë strategji kombëtare të energjisë dhe të marrin vendime mbi objektivat e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë, si dhe të caktojnë afate për të hequr gradualisht qymyrin, për t’i dhënë fund subvencioneve të karburanteve fosile dhe për të futur çmimin e karbonit.