Çmimet e larta rrisin të ardhurat buxhetore në Shqipëri, 26 për qind më shumë në dy muaj

Shqipëria ka raportuar një rritje të fortë të të ardhurave buxhetore në dy muajt e parë të viti, e nxitur nga importet e larta dhe shtrenjtimi i çmimeve, çka ka bërë që të paguhet më shumë taksa.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat buxhetore arritën në 87.6 miliardë lekë [704 milionë euro] në periudhën janar-shkurt, me një rritje prej 26 për qind, ose 18 miliardë lekë [145 milionë euro] më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga doganat u rritën me 24.2 për qind, ndërsa të ardhurat tatimore me 19.4 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Rritjen më të fortë e shënuan të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH). Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar arritën nivelin 9.1 miliardë lekë [73.2 milionë euro] në dy muajt e parë të vitit, rreth 3.3 miliardë lekë [26.5 milionë euro] ose 56.8 për qind më shumë se 2 mujori i vitit 2021.

Ndërkohë, tatim fitimi u rrit me ritme më të ngadalta, me 7.8 për qind më shumë se një vit më parë.

Në anën tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën dy mujore arritën në rreth 68.8 miliard lekë [553 milionë euro], 1.7 për qind ose 1.22 miliard lekë [9.8 milionë euro] më pak se një vit më parë.

Niveli i suficitit për periudhën 2 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 18.8 miliard lekë [151 milionë euro], ose rreth 19.3 miliard lekë [155 milionë euro] më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 2 mujore ishte planifikuar suficit në masën rreth 2.1 miliard lekë [17 milionë euro]. /Telegrafi/