Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere është miratuar propozimi që të zvogëlohen në 150 euro në muaj shpenzimet e udhëtimit për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Tani e tutje, deputetët e Kuvendit do të kompensohen për shpenzimet e udhëtimit kësisoj: për 30 kilometra rrugë larg Prishtinës me 5 euro, deri në 60 kilometra 10 euro, kurse në rrugën që përfshin mbi 60 kilometra ata do të kompensohen me 15 euro.
Më herët, këto kompensime janë dhënë duke u bazuar në këto vlera: 30 km larg Prishtinës me 10 euro, deri në 60 km 20 euro dhe mbi 60 km me 30 euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Këtë çështje për zvogëlimin e shpenzimeve e kishte ngritur fillimisht deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të kompensimeve marramendëse të disa deputetëve që kishin marrë, në emër të udhëtimeve vajtje-ardhje nëpër seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Këto kompensime atyre iu takonin në bazë të një rregulloreje të Kuvendit që ishte në fuqi që nga viti 2011.
Ndërkohë, deputetët edhe pas kufizimit të shpenzimeve për udhëtim, do të kenë në dispozicion edhe nga pesë euro në ditë për ushqim, për pjesamarrje nëpër seancat plenare dhe mbledhje të komisioneve.
Për këtë propozim, prej anëtarëve të këtij komisioni kanë votuar pro: Avdullah Hoti nga LDK dhe Duda Balje, ndërsa nuk morën pjesë fare në votim Mërgim Lushtaku nga PDK-ja dhe Pal Lekaj nag AAK-ja.
Tani, propozimi i miratuar për zvogëlimit e kompensimeve për udhëtim në Komisonin për Buxhet dhe Financa, do t’i dërgohet edhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca për miratim. /Buletini Ekonomik/