Dogana e Kosovës ka konfirmuar se vaji ushqimor që ditën e enjte u shit për 3.49 euro në shumicën e supermarketeve në Kosovë, është importuar me një çmim prej 1.22 deri në 1.45 euro.
Përmes një komunikate për media, nga Dogana e Koosvës kanë njoftuar se kanë analizuar sektorin e importit të vajrave ushqimore lidhur me analizat e çmimeve të importit.
Sipas statistikave nga Dogana, gjatë tërë vitit 2021 janë importuar rreth 17.7 milionë litra vaj luledielli të përpunuar, kurse 5 milionë litra vaj luledielli tjera janë importuar si vaj i papërpunuar.
Gjatë vitit të kaluar, siç thonë nga Dogana, vajrat ushqimore janë importuar me çmim prej 1.11 centë në janar 2021, ndërsa çmimi ka arritur në një maksimum prej 1.45 centë tek në muajin dhjetor, përcjell Buletini Ekonomik.
Edhe gjatë këtyre tre muajve të parë të vitit 2022, çmimi për vajrat e importuara është sjellur nga 1.22 centë në 1.45 centë më së shumti, deklarojnë nga Dogana.
Ndërsa nga janari deri në muajin mars, janë importuar gjithsej 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milionë litra vaj të papërpunuar.
“Derisa në vitin 2022 (periudha janar -shkurt dhe një pjesë e marsit) në Kosovë janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milionë litra vaj luledielli i papërpunuar. Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit këtyre dy muajve nga 1.22 euro/cent deri në 1.45 euro/cent”, thuhet në këtë njoftim nga Dogana e Kosovës.
Ndërkohë, taksa që paguhet për një litër vaj në import është TVSH-ja e reduktuar prej 8%, derisa vajrat e papërpunuara nuk paguajnë asnjë taksë, pasi të tillat konsiderohen lëndë e parë për prodhim. /Buletini Ekonomik/