Euro dhe Paundi, nën presion – Ecuria e monedhave do të përcaktohet nga drejtimi që do të marrë lufta!

Euro dhe Paundi britanik po gjenden nën presion në sesionin e parë të kësaj jave, me investitorët që po presin komentet e shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell dhe të politikëbërësve të tjerë, më vonë gjatë ditës së sotme. Dollari u rrit ndjeshëm përballë jeni japonez, në rreth 119.3, niveli më i lartë në 6 vitet e fundit, ndërsa javën e kaluar monedha e gjelbër e mbylli në rritje me 1.6% në raport me jenin.

Analistët parashikojnë se dollari do të vijojë të rritet më tej përballë monedhës japoneze në muajt në vijim, për shkak të divergjencave të mëdha të politikave monetare në SHBA dhe në Japoni. Rezerva Federale e rriti normën bazë të interesit me 25 pikë bazë javën e kaluar, ndërsa Banka e Japonisë vijoi me politikën monetare ultralehtësuese. Gjithashtu, analistët parashikojnë se FED do të rrisë normën bazë të interesit edhe gjashtë herë të tjera gjatë këtij viti, ndërsa deri në qershor do të jetë rritur edhe me 75 pikë bazë.

Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare po kuotohet në rreth 98.335. Euro dhe Paundi britanik po qëndrojnë në rënie të lehtë edhe ecuria e tyre do të përcaktohet nga drejtimi që do të marrë lufta në Ukrainë. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po kuotohet në rreth 41 mijë dollarë, ndërsa ethereum në rreth 2850 dollarë./SCAN TV/

Reklama e sponzorizuar