Fillon Java Ndërkombëtare e Parasë në Kosovë

Shoqata e Bankave të Kosovës  me mbështetje të Fondit Evropian për Evropën Juglindore – Departamenti për Zhvillim (EFSE DF) dhe bankave komerciale në Kosovë do të organizojnë aktivitete edukative dhe informuese nga data 21 – 27 mars 2022 për të shënuar Javën Ndërkombëtare të Parasë 2022.

Këtë vit SHBK sjell shumë risi dhe aktivitete të ndryshme që do të organizohen gjatë kësaj jave. Java Ndërkombëtare e Parasë do të shënohet në tre qytete të Kosovës ku do mbahen aktivitete të ndryshme siç janë: organizimi i një gare, ku nxënësit e shkollave fillore do të garojnë në lojën “Penny drop game”; do të shpërndahen pako me materiale edukative në të cilat do të përfshihen libër pune – “Të mësojmë për paranë”, fletore e punës me lapsa dhe ngjyra, libër i ngjyrosjes – “Paraja ne ilustrime”, mundësi për foto dhe argëtim me maskotat e aktivitetit si dhe arka të kursimit për fëmijë të shkollave fillore në qytetin e Prishtinës, Prizrenit dhe të Mitrovicës.

Java Ndërkombëtare e Parasë në Kosovë 2022 është pjesë e një fushate botërore të vetëdijesimit për paranë dhe edukimin financiar në përgjithësi. Vende nga anembanë botës marrin pjesë në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e edukimit financiar dhe gjithëpërfshirjes financiare për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo fushatë edukative organizohet në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Edukimit Financiar të OECD-së që udhëheq koordinimin e përgjithshëm të Javës Ndërkombëtare të Parasë 2022. Kjo Lëvizje ndërkombëtare synon të sigurojë edukim financiar dhe përfshirje financiare për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në mbarë botën në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të kenë aftësinë të menaxhojnë më mirë financat personale si një parakusht për një mirëqenie më të lartë.

Reklama e sponzorizuar

Shoqata e Bankave të Kosovës shënon çdo vit Javën Ndërkombëtare të Parasë në kuadër të agjendës së përgjegjësisë sociale korporative dhe gjithëpërfshirjen financiare në Kosovë si vlera të përbashkëta të bankave anëtare të Shoqatës.