Greqia do të lansojë sistemin e ri për tregtimin e gazit më 21 mars

Një platformë e re greke për tregtimin e gazit natyror do të fillojë të funksionojë më 21 mars, duke zgjeruar lidhjet dhe sigurinë e furnizimit në rajon, në këtë situatë të paqëndrueshme që mbizotëron në tregjet globale, tha operatori grek i rrjetit të gazit DESFA.

Kuadri i propozuar i platformës së re të tregtimit të gazit, si dhe marrëveshjet e reja të balancimit, tregtimit dhe kleringut në tregun helen të gazit natyror iu prezantuan tregtarëve, furnitorëve dhe konsumatorëve kryesorë javën e kaluar, sipas një deklarate të DESFA dhe EnExGroup, kompania mëmë e Bursës Helenike të Energjisë (HEnEx) dhe e EnΕx Clearing House.

Tregtarët që do të përdorin këtë platformë për tregtimin e gazit natyror do të duhet të paguajnë një tarifë vjetore anëtarësimi prej 7,000 euro (7,690 dollarë), sipas tarifave të aplikueshme të publikuara në faqen e internetit të HEnEx.

Reklama e sponzorizuar

“Platforma do të zgjerojë lidhjet në tregun e energjisë të Europës Juglindore dhe do të përmirësojë likuiditetin e tregut në rajon dhe më gjerë,” tha CEO i HEnEx, George Ioannou.

Aktualisht, ka tre projekte të reja të gazit që lidhin Greqinë me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Bullgarinë me Serbinë, të cilat janë në faza të ndryshme të ndërtimit.

“Edhe në këto kohë të trazuara, Platforma e Tregtisë së Gazit Natyror do të ofrojë përfitime të shumta, ku më e rëndësishmja është zbulimi i çmimeve, duke ndihmuar kështu pjesëmarrësit në treg për të optimizuar kushtet e furnizimit në dobi të konsumatorëve dhe për të rritur sigurinë e furnizimit,” theksoi shefja ekzekutive e DESFA, Maria Rita Galli.

Kjo platformë tregtare do të shërbejë gjithashtu si një mjet i rëndësishëm për tregun e gazit në të ardhmen, i cili do të bazohet te gazi i rinovueshëm, shtoi ajo.

Platforma e re tregtare greke do të operojë në vijim të Balkan Gas Hub dhe të Platformës Bullgare të Tregtisë së Energjisë në Bullgari, si dhe të tre platformave të tregtimit të energjisë në Rumani, përkatësisht BRM, OPCOM dhe Tradex.