Hoti propozon tri masa për tejkalimin e krizës ekonomike në vend

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka propozuar sot që Komisioni për Buxhet të ftojë në raportim Bordin e Fondit të Pensioneve, për t’u informuar për veprimet që po i ndërmerr Trusti në përballje me zhvillimet në tregjet financiare të ndikuara nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.

Ish-kryeministri ka bërë të ditur se kryetari i Komisionit të është pajtuar që të ftohet edhe Banka Qendrore e Kosovës si institucion mbikëqyrës i Trustit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti ka prezantuar masat që sipas tij, duhet ndërmarrë për shkak të krizës energjetike, çmimeve dhe pasojat sociale në vend.

Reklama e sponzorizuar

“Masa e parë dhe e menjëhershme do duhej të ishte indeksimi i të gjitha përfitimeve pensionale dhe ndihmave sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, që nënkupton rritje e të gjitha pensioneve dhe ndihmave sociale për aq sa janë rritur çmimet e produkteve ushqimore bazike. Kjo masë i prekë të gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare si dhe të tjerë që marrin çfarëdo asistence nga shteti”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, rritja e subvencionit në bujqësi dhe ngritja e nivelit të pagës minimale duhet të janë masat që duhet merren nga Qeveria.

“Masa e dytë do të ishte rritja e subvencioneve në bujqësi për të mundësuar vazhdimësinë e aktivitetit bujqësor për shkak të rritjes tej mase të çmimit të farërave, plehrave dhe imputeve të tjera bazike për bujqësi. Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësorë”, ka thënë ai.

“Masa e tretë që duhet konsideruar është rritja e menjëhershme e pagës minimale sipas një indeksi që merr parasysh koston e jetesës, si dhe rritje e pagave në sektorin publik gjithashtu bazuar në një indeksim për koston e jetesës. Këtu nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shume dukshëm më të vogël sesa ajo që është propozuar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve që janë në menaxhim të Trustit për qëllime të sigurisë së të ardhurave për pensionistët e ardhshëm. Kjo masë prek të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat”, përfundon Hoti.