Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se paga minimale në Kosovë duhet të jetë 264 euro dhe e ka vlerësuar rritje të kënaqshme.
Mirëpo, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli thekson se varet prej Këshillit Ekonomiko-Social (KES), i cili është themeluar nga Qeveria sesa do të jetë paga minimale e në fund të miratohet nga vet kjo.
“KES përbëhet nga tre partnerë, qeveria e Kosovës, punëdhënësit dhe punëmarrësit, paga minimale del nga këshilli tre palësh, ne kemi pasur diskutime të cilat kanë dalë dy propozime të cilat nuk kanë marrë votat e Këshillit”, tha Hykolli për RTK.
Sipas tij, paga minimale është vendosur në vitin 2011 dhe ka qenë një pagë diskriminuese për punëtorët në Kosovë.
“Po të kishte pasur diskutim më herë, sot do të kishim një pagë më arsyeshëm. Ne mendojmë se paga minimale duhet të jetë e arsyeshme për punëtorët e Kosovës, për këtë vendos komisioni. Atë propozim atë e caktojmë dhe ne e dërgojmë propozimin në qeveri”, deklaroi ai.
Në bazë të Nenit 86 të Ligjit të Punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale, është kostoja e shpenzimeve jetësore, pastaj përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
Ndryshe, përfaqësues të sektorit privat kanë propozuar që paga minimale të jetë jo më pak se 400 euro.