“Brand Finance” ka publikuar së fundmi studimin në kuadër të “Fuqisë së Butë” (Global Soft Power Index, 2022). Koncepti i fuqisë së butë ka të bëjë me influencën globale të një vendi, pra sa aftësi ka një vend për të prodhuar efekt te vendet e tjera. Kjo matet përmes perceptimeve të njerëzve për kombet e tjera në mbarë botën.
Fuqia e Butë për një vend është mjaft e rëndësishme pasi liderët globalë shpesh herë marrin vendime për politikat e jashtme bazuar mbi perceptimet e tyre për vendet e tjera. Në Indeksin Global të Fuqisë së Butë për vitin 2022, renditet për herë të parë dhe vendi ynë. Ne renditemi në vend të 104-t nga 120 vende në total dhe vlerësohemi me 29.1 pikë nga 100 në total.
Ky indeks bazohet në shtatë shtylla kryesore të cilat janë: Biznesi dhe Tregtia, Qeverisja, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Kultura dhe Trashëgimia, Media dhe Komunikimi, Arsimi dhe Shkenca, si dhe Njerëzit dhe Vlerat. Në këtë edicion të këtij indeksi është përfshirë dhe pyetja mbi opinionin publik sa i përket trajtimit të pandemisë COVID-19 nga vendet. Për këtë indikator vendi ynë është vlerësuar me 3.6 pikë.
Indeksi Global i Fuqisë i Butë, 2022
Indeksi Global i Fuqisë i Butë, shtyllat kryesore
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet në fund të tyre. Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi po ashtu janë hyrje të reja në këtë indeks. Bosnje Hercegovina renditet e para në rajon sa i përket fuqisë së butë, duke u pozicionuar në renditjen e përgjithshme në vend të 72-të. Ndjek Serbia në vend të 78-të dhe Mali i Zi në vend të 97-të. Këtë indeks e kryesojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vend të dytë është renditur Mbretëria e Bashkuar.
Raporti thekson mes të tjerave edhe sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, duke thënë se do të duhet një moment i dytë për të matur saktë perceptimet mbi fuqinë e butë të këtyre dy vendeve. Megjithatë, Ukraina është duke përdorur mediat konvencionale dhe sociale në funksion të fuqisë së butë, por edhe për të fituar argumentin. Nga ana tjetër, ekspertët politikë thonë se i vetmi komb me aftësinë për të ndalur konfliktin është Kina, duke përdorur fuqinë e saj të butë ndaj Rusisë. /SCAN INTELLIGENCE UNIT/
Indeksi Global të Fuqisë së Butë, 2022