Belgjika mbyll fabrikën e çokollatave Kinder pas përhapjes së salmonelës në Europë

Çokollatat Kinder Surprise

Autoritetet në Belgjikë kanë urdhëruar mbylljen e një fabrike të çokollatave Kinder, e dyshuar si origjina e përhapjes së rasteve të salmonelës në disa vende evropiane dhe në SHBA.

Vendimi i rëndë për kompaninë Ferrero, prodhuesit italiane të vezëve Kinder, vjen pak para festës së Pashkëve kur çokollatat Kinder janë produktet më të kërkuara në supermarkete.

Reklama e sponzorizuar

Ferrero tha në një deklaratë se është e shtangur dhe se “kërkon ndjesë” për rastet e salmonela, dhe se po mbyll fabrikën e saj në qytetin juglindor të Arlon.

Autoritetet shëndetësore në Belgjikë thanë se kishin urdhëruar mbylljen e fabrikës pas zbulimeve se “informacionet e dhëna nga Ferrero për çështjen ishin të paplota”.

Autoritetet thanë se “do të autorizojnë rihapjen pasi stabilimenti të rikthehet në zbatim të rregullave të sigurisë shëndetësore”.

Ministri belg i bujqësisë David Clarinval tha se “një vendim i tillë nuk është marrë lehtë por rrethanat e bënë të nevojshme”.

“Me efekt të menjëhershëm ndalohet i gjithë prodhimi i vezëve të çokollatës Kinder Surprise, Kinder Mini Eggs, Kinder Surprise Maxi 100g e Kinder Choko-Bons”, thuhet në deklaratë.

Kompania është gjithashtu prodhuese e Nutella dhe ëmbëlsirave Tic Tac, ndërsa ka thirrur mbrapsht disa tipe çokollatash Kinder të shitura në SHBA.

Salmonela është një bakter që krijon simptoma si diarre, ethe e dhimbje stomaku te njerëzit, si një nga infeksionet më të përhapura nga ushqimi.

Shumica e rasteve shkaktohen nga kontaminimi i ushqimit me feçe kafshësh apo njerëzore.

Britania tha me herët se kishte identifikuar 63 raste me salmonela kurse Franca të paktën 21, mes të tjerave./tch/