Kaçaniku: Kjo është rritja më e madhe e çmimeve që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë

Rritja e çmimeve në Kosovës si shkak i luftës në Ukrainë, po vlerësohet si më e larta ndonjëherë. Qytetarët ankohen se me të ardhurat që kanë nuk po mund t’ia dalin.

Vaji ushqimorë gjatë ditës së sotme ka qenë ndër produktet më të kërkuara në marketet e Kosovës. E gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e frikës së mund të ketë mungesë të tij në treg.

Ngritje të çmimeve ka pasur edhe te produktet tjera bazë.

Reklama e sponzorizuar

Ramë Zeka, profesor në pension, thotë se kjo ngritje e madhe e çmimeve ua ka rënduar jetën qytetarëve.

“Unë jam pensionist por i kam lënë gjysmën e gjërave që kam konsumuar më parë. Kam lënë bufetë apo kafetë me shokë. Më parë kam shkuar në Istog pasi kam vëllezërit, por tash nuk po mund të shkojë për shkak të çmimit të biletës”, tha ai në RTV Dukagjini.

Situata është e rëndë edhe për qytetarët e profesioneve tjera.

“Unë punojë në ndërtimtari dhe e kam orën 1.8 euro. Tash 2 euro e diçka u bë vaji”, shprehet qytetari Muhamet Krasniqi, përcjell Telegrafi.

Ndërsa një tjetër qytetarë thotë se tashmë edhe në rrugë po ka më pak lëvizje të veturave.

Selatin Kaçaniku që me organizatën e tij “Konsumatori” monitoron çmimet prej 16 vitesh thotë se një rritje e tillë e çmimeve nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

“Jo vetëm që është rritja më e madhe e çmimeve, por është edhe rritja me shpejtësinë më rapide që ne e mbajmë në mend. Ne kemi parasysh se rritjet e çmimeve ndikohen nga tregjet globale por nuk mund të arsyetohet Qeveria, pasi e ka mandatin të veprojë”, deklaroi Kaçaniku.

Edhe ekonomistët thonë se shteti duhet të veprojë që sadopak të ketë efekt në uljen e çmimeve.