Kaskada e Drinit është në pikë kritike, niveli i ujit ka rënë aq shumë saqë rrënojat e Kukësit të vjetër kanë ridalë në sipërfaqe

Kaskada e lumit Drin

Rrënojat e Kukësit të vjetër, të përmbytur nga liqeni i Fierzës kanë ridalë në sipërfaqe, çka tregon se niveli i liqenit, që është ujëmbledhësi kryesor që furnizon tri hidrocentralet e kaskadës së Drinit është në pikë kritike.

Edhe ura e dikurshme që lidhte Kukësin me qytetin e Prizrenit, ka ridalë gjithashtu në sipërfaqe.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarisht, nga Prefektura e Kukësit mësohet se niveli aktual i liqenit është 257 metra, vetëm 17 metra larg pikës së vdekjes, që nënkupton ndalimin e prodhimit të energjisë. Për specialistin e mjedisit në Kukës, Arben Palushi, këto shenja tregojnë realisht një gjendje të rëndë kritike në këtë bazë.

Parashikimet nuk janë aspak optimiste pasi edhe në ditët në vazhdim, deri në përfundim të muajit mars, nuk parashikohen reshje, dhe me këto ritme arritja e pikës kritike të këtij liqeni është e afërt.

Për herë të fundit, rrënojat e qytetit të përmbytur të Kukësit janë parë në periudhën janar-shkurt 2017, kur kishim një situatë të ngjashme të prurjeve hidrike. /radari.al.