KEK-u e Ibër Lepenci në dy muajt e parë eksportuan energji 2.85 milionë euro

Kosova ka eksportuar 10 milionë euro rrymë në kohën kur vendi ynë është përballur me krizë energjetike. Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj. Kurse nga KEK dhe Ministria e Ekonomisë, kanë thënë se eksportuesi kryesor siç është KEK, ka eksportuar dhe planifikon të vazhdojë të eksportojë energji vetëm gjatë periudhave kur prodhimi tejkalon nevojat vendore, që është kryesisht gjatë natës.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka shkruar në Facebook se Kosova i ka eksportuar 10 milionë euro rrymë. Madje sipas tij, kjo është bërë në mes të krizës energjetike.

“Kosova në mes të krizës energjetike eksporton 10 milionë euro rrymë. Si ka mundësi që gjatë muajit janar, kur Kosova ka shpenzuar në peak-un e saj 1300mWh, ndërsa ka prodhuar rreth 650mWh në mungesë të Bllokut B2, kemi eksportim në vlerë prej 10 milionë eurosh të energjisë elektrike”, ka pyetur Molliqaj.

Reklama e sponzorizuar

Lidhur më këtë çështje RTK ka pyetur në KEK. Në një përgjigje me shkrim nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kanë bërë të ditur se nuk i komenton deklaratat politike. Megjithatë, kjo kompani ka dërguar të dhënat zyrtare të eksportit nga KEK-u për muajin janar. Sipas tyre, vetëm gjatë muajit janar kjo kompani ka eksportuar energji elektrike në total prej 245,830.00 euro.

Kurse nga Ministria e Ekonomisë, për RTK-në po ashtu kanë bërë të ditur shifrat zyrtare të dy ndërmarrjeve Publike të Republikës së Kosovës të cilat prodhojnë energji elektrike, siç janë KEK dhe Ibër Lepenci. Sipas tyre, gjatë muajve janar dhe shkurt 2022 të dy këto ndërmarrje kanë eksportuar energji elektrike në vlerë totale prej 2.85 milionë euro.