Kosova dhe rikthimi i vëmendjes botërore te qymyri si resurs energjetik

Të dhënat telegrafike dhe jo pak deklarata e kërkesa të këtyre ditëve të shtetarëve evropianë për bërjen pishman të vendeve të fuqishme të Evropës, për braktisjen e kushtëzuar dhe të shpejtë të shfrytëzimit të termocentraleve në bazë të qymyrit, përkatësisht për zgjatjen e jetës së termocentraleve me qymyr, duhet t’i intrigojë dhe t’i “zgjojë nga gjumi” edhe zyrtarët tanë që të kërkojnë zëshëm dhe pa humbur asnjë çast kohë, zgjatjen e jetës së termocentraleve kosovare me linjitin tonë.

Mehmet GJATA

Lufta ruso-ukrainase shfaqi edhe një herë në shesh pasojat e rënda, thuaja të pariparueshme të varshmërisë energjetike nga të tjerët. Pavarësisht sanksioneve të ashpra të vendosura ndaj sektorit bankar dhe atij të aviacionit, dhe të disa sektorëve të tjerë, pas fillimit të sulmit ndaj Ukrainës, vendet perëndimore sot e kësaj dite po vazhdojnë t’i paguajnë Rusisë qindra miliona dollarë çdo ditë për importet e gazit dhe naftës.

Reklama e sponzorizuar

Më konkretisht, këto ditë ministri irlandez i Mjedisit deklaroi : “Çdo ditë ne shpenzojmë 350 milionë euro që ia japim sistemit rus, që ata të mund të investojnë në armë, të cilat sot po godasin qytetin e Kievit dhe zona të tjera. Për arsye klimatike dhe për sigurinë e njerëzve tanë, ne duhet të rivlerësojmë këtë varësi tek lëndët djegëse fosile”.

Dhe, po del se Evropa, megjithë përcaktimin e qartë dhe decidiv për ta sanksionuar Rusinë për invazionin në Ukrainë, në njëfarë mënyre po detyrohet që akoma të konsumojë resurse ruse energjetike dhe për këtë të paguajë kosto të lartë financiare, por edhe të ndihmojë deshi-s’deshi militarizmin rus. Sepse Rusia akoma përmbush një të tretën e nevojave për gaz natyror të Evropës, ose rreth 40 për qind të nevojave energjetike, Evropa i përmbush nga resurset e importuara ruse energjetike.

Sipas shifrave të fundit të bëra publike nga mediet, ç’është më keq, importet ruse janë rritur në fakt që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, ndërsa çmimi në rritje e bën tregtinë ruse edhe më fitimprurëse. Po del të jetë “rrehje e ujit në havan” përpjekjet e udhëheqësve perëndimorë për të gjetur alternativa të tjera energjetike. Sepse, alternativat nuk gjenden brenda natës. Duhet vite e vite për t’i krijuar ato. Tashmë po bëhen të diskutueshme, madje edhe të kontestueshme zotimet e parreshtura dhe në nivel dokumentesh (vendimesh, rezolutash, marrëveshjesh ndërkombëtare) edhe zotimet për të mbyllur termokapacitetet energjetike në bazë të qymyrit dhe ato nukleare sipas disa afateve të përcaktuara.

Siç dihet, Gjermania është zotuar të mbyllë termocentralet e saj bërthamore deri në fund të këtij viti dhe të gjitha termocentralet me qymyrgur deri në vitin 2030. Ndërkohë që këtyre ditëve, Qeveria gjermane është bërë pishman për këto zotime duke thënë qartë se këto vendime mund të anulohen pas sulmit rus të Ukrainës. Kontinenti duhet të përshpejtojë kalimin tek burimet e energjisë së rinovueshme, thotë ish-sekretari gjerman i mjedisit dhe energjisë, Rainer Baake.

“Duhet të ketë një mesazh shumë të qartë për Rusinë tani: ne nuk e duam gazin dhe naftën tuaj në të ardhmen. Do të jetë e dhimbshme sepse çmimet ndoshta do të jenë më të larta. Por kjo është e vetmja mënyrë për të çliruar veten nga kjo varësi nga lëndët djegëse fosile dhe për të përdorur burimet e rinovueshme të energjisë në vend të lëndëve djegëse fosile”, ka thënë ai sipas medieve ndërkombëtare.

Ndërkohë, gjigantët e energjisë, përfshirë kompaninë holandeze “Shell” dhe atë britanike “BP”, kanë njoftuar se do të shesin aksionet e tyre në firmat ruse të naftës me vlerë miliarda dollarë. Edhe kompania amerikane ‘ExxonMobil’ ka deklaruar se do të tërhiqet nga një projekt i saj i naftës dhe gazit natyror me vlerë 4 miliardë dollarë dhe planet për investime të tjera në Rusi. Këto të dhëna telegrafike dhe jo pak deklarata e kërkesa të këtyre ditëve të shtetarëve evropianë për bërjen pishman të vendeve të fuqishme të Evropës për braktisjen e kushtëzuar dhe të shpejtë të shfrytëzimit të termocentraleve në bazë të qymyrit, përkatësisht për zgjatjen e jetës së termocentraleve me qymyr, duhet t’i intrigojë dhe t’i “zgjojë nga gjumi” edhe zyrtarët tanë që të kërkojnë zëshëm dhe pa humbur asnjë çast kohë, zgjatjen e jetës së termocentraleve kosovare me linjitin tonë. Ky është një rast i mirë dhe fare i favorshëm ta kërkojmë këtë, edhe pse i shpërfaqur si pasojë e një lufte të dhimbshme. Fundja, kur po e kërkon e gjithë bota mbarë, pse mos ta kërkojmë edhe ne. Ne e kemi këtë të drejtë, aq më parë, kur dihet për rezervat tona kolosale të linjitit, të cilat shtrihen praktikisht në sipërfaqen e tokës.

Luigj Ymeri, qëmoti një kuadër i dëshmuar, udhëheqës në KEK dhe një njohës i mirë i rrjedhave energjetike, jo vetëm në vend, ishte shprehur për Buletinin Ekonomik se “ne si Kosovë realisht e kemi humbur hapin në arritjen e synimeve tona për zhvillimin energjetik”. “Strategjitë tonë nuk janë implementua si duhet. Dhe për pasojë për shumë vite po na zgjatet tranzicioni I zhvillimeve energjetike”, kishte thënë ai për Buletinin Ekonomik.

“Nuk jemi naiv për mos t’i kuptuar trendet e zhvillimit botëror të energjisë, por detyrë e jona profesioniste dhe intelektuale është të bëjmë vlerësimin e saktë të nevojave dhe burimeve energjetike të vendit, pastaj të ofrojmë alternativat më të mira dhe më optimale të mundshme për të pasur energji. Dihet se te ne nuk ka shumë mundësi për ndonjë kapacitet të madh nga turbinat me erë, pasi që në Kosovë nuk ka shumë erë dhe nuk ka shumë vende ku mund të instalohen turbinat e erës. Panelet solare në përmasa të efektshme do të rrezikonin tokën edhe ashtu të paktë të bukës. Mbetet pra qymyri, që e kemi të bollshëm dhe me rezerva impozante. Dhe pikërisht këtë resurs që na e ka dhuruar aq begatshëm natyra nuk e kemi përdorë mirë, kujdesshëm, sidomos në aspektin e ruajtjes së ambientit”, ka thënë Ymeri për Bultetin Ekonomik.

Rreth 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë është nga qymyri. Ndërkohë që politika evropiane, ato të asocacioneve kompetente dhe vendimmarrëse u bënë shumë të egra, të ashpra dhe kjo doemos na vuri në pozitë të disfavorshme karshi synimeve zhvillimore për të pasur edhe ne energji të mjaftueshme.

Por, deri më 2050, kur më nuk do të ketë energji nga qymyri, i kemi dy faza. Duhet të bindim vendimmarrësit se nuk jemi dhe nuk kemi qenë asnjëherë kundër energjisë së rinovueshme. Përkundrazi, me potencialet natyrore tona për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë solare dhe asaj të erës nuk ka mundësi të plotësohen nevojat kosovare për rrymë. Prandaj, mbetet thuaja si alternativë e domosdoshme qymyri, së paku deri më 2050, si burim kryesor energjetik te ne. Sidomos tani, pas luftës ruso-ukrainase dhe pas rikthimit të vëmendjes dhe fokusit që në strategjitë zhvillimore energjetike të shumë vendeve të fuqishme të Evropës dhe në qarqet vendimmarrëse të BE-së, shumëkush ka zënë t’i bëjë të diskutueshme politikat e deridjeshme energjetike në të cilat qymyri, në asnjë mënyrë nuk ishte alternativë e prodhimit të energisë elektrike në një të ardhme jo edhe aq të largët. Dhe, kriza energjetike e fundvitit 2021 dhe e fillimvitit 2022 në botë, që u reflektua ashpër edhe në Kosovë dëshmoi se ne kosovarët nuk kemi edhe aq alternativa të tjera pos qymyrit, për t’iu ofruar qytetarëve të Kosovës stabilitet në furnizimin me rrymë dhe me kosto të pranueshme.

Alternativë e domosdoshme, e zorit, sidomos tani mbetet ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik në bazë të qymyrit, ose rivitalizimi -rindërtimi i tre blloqeve të Kosovës A (A3, A4 dhe A5) që ende janë në funksion dhe duke prodhuar, madje 35 për qind të energjisë elektrike të Kosovës. Tash, nga trysnia që do ta bëjnë kushtimisht vendet e fuqishme në asociacionet energjetike globale, ka gjasë që më mos të jetë një nga vështirësitë serioze dhe kërcënim i rindërtimit të A-së, apo të një kapaciteti fare të ri termoenergjetik 300-400 megavatësh, taksa e karbonit, e paralajmëruar që do ta vendoste BE-ja dhe që do të ishte me kosto shumë të madhe, ose që apostrofohej të jetë diku sa çmimi i kostos së prodhimit të një megavati dhe ndoshta edhe më shumë se kaq.

Në kontekstin e zhvillimeve të pritshme energjetike në vend më nuk lejohen gabimet, çfarëdo qofshin ato, dhe se gabimet eventuale në këtë sektor nuk mund të sanohen. Kosova, siç po shihet, edhe për disa vite do të varet kryesisht nga thëngjilli. Pak a shumë, kështu rezonojnë edhe njerëz të politikës kosovare, por edhe ekspertët tanë. Në kontekstin e këtyre zhvillimeve, Kosova duhet të dëshmohet më në fund e mençur. T’ua bëjë të qartë komunitetit energjetik, por edhe atij politik ndërkombëtar, nevojat reale energjetike, por karshi këtyre nevojave edhe resurset dhe potencialet për zhvillimin energjetik. Do të ishte mençuri po të gjindej zgjidhja te përqëndrimi kosovar sa më shpejtë që është e mundur për ta pasur fokus kryesor dekarbonizimin e përgjithshëm të sektorit të energjisë, duke rritur vrullshëm ndërtimet në energjinë e ripërtëritshme, që nënkupton duke rritur shumë investimet në zhvillimet energjetike dhe njëkohësisht të gjendet një modus, ku deri më 2045-2050 të përdoren termocentralet në bazë të qymyrit. Tani, pas rikthimit të vëmendjes së botës tek thëngjilli, është shumë më lehtë të zbatohet kjo politikë, por edhe të kërkohen para nga institucionet ndërkombëtare financiare për kapacitetet e reja eventuale elektroenergjetike. Rrethanat dhe zhvillimet në frontin ruso-ukrainas e kanë krijuar rastin. Këtë rast Kosova e ka te dera tani. Vetëm duhet ditur të shfrytëzohet. /Buletini Ekonomik/