Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor: Të hiqet akciza për operatorët që bartin qytetarët me autobus

Për shkak të rritjes së enorme të çmimeve të derivateve të naftës, Qeveria e Kosovës, dje ka vendosur të subvencionojë fermerët e Kosovës. Mbështetje po kërkojnë edhe operatorët që bartin udhëtarët me autobus.

Përpos shtrenjtimit të rrymës, naftës dhe produkteve tjera, qytetarët po përballen edhe me shtrenjtim të biletave të udhëtimit. Ngritja e çmimit të naftës, ka ndikuar edhe në sektorin e transportit. Ngritja do të jetë nga 20 centë deri në 1 euro, varësisht nga destinacioni. E tashmë disa kompani kanë ngritur çmimet e biletave.

“Ne jemi duke punuar me humbje. Na vjen keq tepër prej pasagjerëve sepse do të këtë ngritje, por nuk kemi qare për shkak të naftës”, tha për RTK, Labinot Ukimeri pronar kompanie .

Reklama e sponzorizuar

Kjo situatë më së shumti ka prekur studentët. ”Mendoj se është e padrejtë, sidomos për nivelin e pagave. Unë udhëtoj nga Drenasi dhe mendoj që është një çmim i lartë”, tha Endrit Bekolli student

“Udhëtoj shpesh. Çmimet e biletave sidomos edhe të atyre të taksistëve janë rrit në 1 euro”, tha Engjull Terbunja student.

Ngritjen e çmimit të biletave, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj e arsyeton me shtrenjtimin e derivateve.

“Krahas ndihmës që Qeveria po pretendon të jep në sektorin e bujqësisë, mendoj që edhe duhet të jetë edhe për operatoret të transportit rrugor, të cilën e bartin qytetaret”, theksoi ai.

Kurtishaj ka kërkuar të hiqet akciza për operatorët që i bartin qytetarët me autobus. Por, sipas shoqatës, nuk ka vendim unanim nga shoqata për ngritje të çmimit të biletës së trafikut ndër urban.