Ndahen 50 milionë euro për subvencione në bujqësi, 5 milionë prej tyre shkojnë për naftën e bujqve

Sektori i bujqësisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) gjatë ditës së djeshme ka prezantuar Programin për Pagesa Direkte dhe Subvencione për bujqit për vitin 2022. Sipas zotimeve të Qeverisë dhe ministrisë përkatëse, këtë vit do të ketë rritje të subvencioneve deri në 216 për qind.

Përmes një konference për media së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se këtë vit, ata si Qeveri, kanë paraparë një shumë prej 50 milionë eurove për subvencione në sektorin e bujqësisë, si dhe kanë rritur përkrahjen financiare në të gjitha kategoritë e bujqësisë në kuadër të politikave bujqësore. Me buxhetin e planifikuar për vitin 2022, ishin paraparë vetëm 31 milionë euro për sektorin e bujqësisë në Kosovë, përcjell Buletini Ekonomik.

Përveç rritjes së subvencioneve, Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë u zotuan se do të mbulojnë edhe subvencionimin e naftës për bujqit, pas shtrenjtimit të karburanteve ditëve të fundit në të gjitha tregjet, duke përfshirë edhe Kosovën.

Reklama e sponzorizuar

Shuma që do të shkojë për subvencionimin e naftës, sipas Qeverisë, do të jetë 5 milionë euro, mjete këto që do të ndahen nga 50 milionëshi që është paraparë për Subvencione dhe Pagesa Direkte, kurse 8 milionë tjera prej po të njëjtës shumë, do të shkojnë për plehërimin pranveror të tokave të punueshme nga bujqit.

“Në kuadër të përkrahjes, ne sot duke mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, do subvencionojmë naftën për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro, si dhe krahas kësaj ata do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror në vlerë prej 8 milionë euro”, ka thënë Kurti në konferencë dje.

Siç thonë krerët e instutucioneve relevante, këtë muaj, pra në mars, do të shpallen edhe aplikimet për Pagesa Direkte dhe Subvencione për bujqit.

Ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka treguar se kanë adresuar politika të duhura bujqësore për t’iu kundërpërgjigjur rritjes së çmimeve përmes rritjes së mbështetjes për shumicën e kulturave të parapara në këtë program.

Sipas Pecit, duke marrë parasysh nevojën e sigurisë ushqimore si siguri kombëtare dhe vështirësitë me të cilat po përballen bujqit dhe fermerët, ndikimin e zhvillimeve në botë edhe në sektorin e bujqësisë, rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore, farërave, naftës e të ngjashme, përmes Programit për Pagesa Direkte, është vendosur së bashku me Qeverinë që mbështetja financiare për bujqit, të rritet për shumicën e kulturave.

Peci shton se për herë të parë që nga paslufta, fermerëve dhe bujqve do t’iu subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro duke iu subvencionuar vlera prej 0.36 cent për çdo litër naftë të përllogaritur me hektarët e poseduar të tokës së punuar.

Gjithashtu, në bazë të njoftimit për media nga kjo ministri, do të subvencionohen edhe inputet bujqësore për plehërim pranveror, si p.sh., për kulturën e grurit do të ndahen 150 euro për hektarë ndërsa për misrin, fasulen dhe pataten nga 100 euro për hektarë, me një vlerë totale prej 8 milionë eurove.

Ndryshe, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2022, kultura e grurit do të subvencionohet me 474 euro për hektarë apo 216 për qind më shumë sesa vitin e kaluar, fara e grurit për 21.6 për qind, misri do të subvencionohet për 119 për qind më shumë, kurse kultura e patates dhe fasules për 118%. Tutje, subvencionet për perimet në fushë të hapur rriten për 85 për qind, perimet në serra për 100 për qind, pemët me 26 për qind, elbi, luledielli, tërshëra dhe thekra do të subvencionohen për 36 për qind, si dhe kultura e mjedrës me 25 për qind.

Gjithashtu, sipas këtij programi të prezantuar nga Ministria e Bujqësisë, edhe nga fusha e blegtorisë do të ketë subvencione të rritura si p.sh., për viçat për majmëri do të ketë rritje të subvencionimit për 150 për qind, për gjedhet qumështore do të ketë rritje prej 6 për qind, për qumështin sipas cilësisë do të ketë subvencione për 16 për qind më të larta, kurse për delet dhe për dhitë subvencionet do të rriten për 25 për qind.

Edhe veprimtaria e bletarëve do të subvencionohet me këtë program. Kështu për bletët, Qeveria ka paraparë një rritje të subvencioneve për 33 për qind.

Po ashtu, në kuadër të masave mbështetëse të këtij programi, do të subvencionohet 75% e vlerës së Primit të Sigurimit për disa kultura bujqësore, siç janë: kultura e mollës, qershisë, misrit, fasules, dardhës, specave, kumbullës, mjedrës, vishnjës, dredhëzës, arrës, rrushit, si dhe primin e sigurimit tradicional bujqësor për kulturën e mollës – pemishte intensive, specit – kultivimi intensiv, si dhe rrushit të verës. /Buletini Ekonomik/