“Kundër-revolucioni” i çmimeve në Kosovë

Mehmet Gjata

Hallexhinjtë kosovarë janë ngopur me konstatime, me gjetjen e fajtorit ndër qeveritë e kaluara, që ç’është e vërteta, kanë shumë faje për vobektësinë tonë. Ata janë të ngopur edhe me shprehjen e keqardhjeve dhe të shqetësimeve të panumërta të zyrtarëve për shfrenimin e çmimeve. Hallexhinjtë duan veprime. Duan stopimin e trendit të pandalshëm të ngritjes së çmimeve, duan kthimin e tyre në nivelin e arsyeshëm kudo ku ka pasur abuzime, si dhe duan sanksione për abuzuesit.

Mehmet GJATA

Në Kosovë, që kur nisi lufta ruso-ukrainase, pra që nga 24 shkurti i këtij viti, nisi të finalizohet “kundër-revolucioni” real me çmime, i nxitur nga tregtarët, por edhe nga prodhuesit shqiptarë të Kosovës, përfitues të situatave të krizës më së shumti, manipulues dhe zhvatës ordinerë, keqpërdorues të egër dhe me vulë, pak a shumë me identitet të njohur që më parë (të evidencuar për veprime të njëjta në shumë raste më përpara). Në fakt, ngarendja për ngritje çmimesh edhe në Kosovë ka nisur me fuqizimin e faturave të çmimit të energjisë elektrike dhe të karburanteve, që abuzuesit suksesivisht e zbatuan vrullshëm pothuajse në të gjitha çmimet e të gjitha produkteve, por më së shumti në produktet bazike ushqimore.

Reklama e sponzorizuar

Finalja e “kundër-revolucionit” të çmimeve ndodhi më 9, 10 dhe 11 shkurt, dhe u realizua po nga këta njerëz, nga po këta pronarë biznesesh prodhuese dhe po nga këta tregtarë, që kurrë asnjëherë dhe në asnjë çast, nuk e patën një fije ndërgjegjeje, nuk menduan kurrë për shtetin e vet, me ndihmën dhe paratë e të cilit u bënë pasanikë, por edhe nga plangprishësit më me zulm të këtij vendi. Këta tregtarë dhe prodhues shqiptarë të kësaj toke, e treguan fytyrën e tyre të enjten e kësaj jave, kur në raftet e marketeve të tyre ekspozuan vajin ushqimor të dedikuar për kosovarët e varfër dhe të lodhur nga vobektësia ekstreme, me çmimin më të lartë në botë. Nuk ka nevojë më për ta ilustruar shkrimin me shifra. Çdo gjë është e qartë dhe e saktësuar me rekordin botëror të çmimit, për një ushqim kaq bazik dhe të domosdoshëm çdo ditë për kosovarin e stërlodhur nga varfëria. Të enjten dhe të premten, në shumë shitore, markete dhe megamarkete, që tashmë kanë vërshuar qendrat e Kosovës, pati ngritje enorme edhe të shumë produkteve bazike tjera ushqimore. Dhe të gjitha këto çmime ishin shumë më të larta se ato të produkteve të njëjta në rajon dhe më gjerë.

Prapë, mendoj se numrat e përqindjeve të çmimeve të ngitura brenda ditës u bënë dhe nëse vazhdon ky trend po bëhen relativë. Arsyeja është lehtësisht e shpjegueshme: paradite këto produkte po tregtohen me një çmim shumë të ngritur krahasuar me një ditë më parë, dhe pasdite me çmimin tjetër akoma më të lartë. Nuk ka më nevojë të konstatohen këto fakte. Ato janë evidente, madje aq të tejdukshme, saqë përpjekjet për të konstatuar ‘se po ndodhin keqpërdorime, manipulime dhe abuzime” nga tregtarë dhe prodhues abuzues kanë zënë të bëhen irrituese në opinionin tonë. Goxha irritues ishte edhe deklarimi i kryeministrit Albin Kurti, i cili të enjten, dukshëm i shqetësuar, tha se “çmimi me të cilin është shitur sot një litër vaj në Kosovë është artificial dhe i rritur nga persona në dëm të konsumatorëve”.

“Është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye, nevoje, për një fryrje të tillë. Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të ç ‘fryhen. Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Nuk i qetësoi shumë shpirtrat e kosvarëve të tronditur nga “kundër-revolucioni” me çmime të ngritura as thirrja e ministres Albulena Haxhiut, drejtuar Prokurorisë që të fillojë hetimet, sado që ajo publikisht ka rikujtuar se kurdisja dhe orkestrimi i çmimeve është vepër që sanksionohet me burgim deri në 5 vite dhe gjobë shtesë.

As njoftimi i Kryeprokurorit të Shtetit, se “Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë”, nuk është se zbuti mllefin e hallexhinjve të goditur drejtpërdrejt nga “kundër-revolucioni” i çmimeve.

Kosovarët, që këto ditë kanë mbi shpinë çmimet rekorde të vajit ushqimor, më të lartat në botë, tre herë më të larta se në Britaninë e madhe, disa herë më të larta se në Gjermani dhe në Francë, tashmë nuk e marrin shumë seriozisht as premtimin e bërë para disa ditësh të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, se “janë duke ndërmarrë masat e duhura sa i përket ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore”. Sikundër që nuk besojnë shumë në disa inspektime që tashmë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka kryer në ca markete lidhur me ngritjen e çmimeve.

Fundja, çka i duhet varfanjakut kosovar keqardhja e ministres Hajdari të bërë në postimin e saj në rrjetet sociale se “me shqetësim ka pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale dhe se Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës”.

Cilat masa po i ndërmerr kjo Qeveri për uljen e trendit të shpërthimit të çmimeve, qoftë edhe të produkteve bazike ushqimore. Po të ndërmerrej, fundja ndonjë masë, do të duhej të vërehej edhe ndonjë efekt i tyre. S’ka masa, s’ka efekte. Çmimet e vajit në Kosovë vazhdojnë të jenë më të lartat në botë.

Ministrja Hajdari duhet të shpjegojë pse tregohet kaq e papërgjegjshme kur deklarohet se “gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik”. Duhet thënë troç: nuk ka gjendje nën kontroll përderisa ka shpërthim ngritje çmimesh në nivel të rekordeve botërore.

Hallexhinjtë kosovarë, pra, janë ngopur me konstatime, me gjetjen e fajtorit ndër qeveritë e kaluara, që ç’është e vërteta, kanë shumë faje për vobektësinë tonë. Janë tashmë të ngopur edhe me konstatimet se rritja e çmimeve është artificiale. Ata janë të ngopur edhe me shprehjen e keqardhjeve dhe të shqetësimeve të panumërta të zyrtarëve për shfrenimin e çmimeve. Hallexhinjtë duan veprime. Duan stopimin e trendit të pandalshëm të ngritjes së çmimeve, duan kthimin e çmimeve në nivelin e arsyeshëm kudo ku ka pasur abuzime, si dhe duan sanksione për abuzuesit.

Lajmi për mbylljen e dy depove abuzuese me çmime, pak a shumë u mirëpritë. Lajmi pra, se pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni” dhe mbyllja e këtyre dy depove është vetëm një veprim i shtetit, i qeverisë Kurti, ndërkohë që  ministrat aktual kompetentë, thënë më së buti, u dëshmuan indolentë dhe të ngathët karshi problemit suksesivisht të eskaluar më 9, 10 dhe 11 shkurt. Atyre shumë vonë iu ra ndërmend, pra pas eskalimit eklatant të ngritjes së çmimeve që duhet të ndërmerrën masa dhe të kompletohet Komisioni i Konkurrencës. Qeverisë, po kështu edhe dikastereve kompetente të saj, siç duket, akoma nuk po iu shkon ndërmend se në kohë krize, nuk duhet lutur tregtarët mos të manipulojnë me çmime dhe në kohë krizash duhet shfrytëzuar instrumentet e hetimit, gjobitjes dhe shpërfaqjes së atyre që manipulojnë me çmimet. Abuzuesi, shkurt dhe shqip, edhe sipas të gjitha ligjeve në fuqi, duhet sanksionuar. Asnjë shtet në botë nuk e lutë abuzuesin për të hequr dorë nga abuzimi. Në këto raste, “lutja” e shtetit duhet të jetë sanksioni. Ndryshe, “kundërrevolucioni” me rritje çmimesh do të vazhdojë. Pa ndalje dhe duke dalur ekstremisht nga binarët. Ndërsa, koston e këtij kërcënimi social dhe ekonomik, natyrisht se do ta vuajë vetëm kosovari i rëndomtë, ai i varfëri.

Ky nivel çmimesh të ngritura ka drojë që do të bëhet sakrificë reale e papërballueshme. Së pari për jetën, pastaj edhe për shëndetin tonë. Prandaj, Qeveria dhe zyrtarët e tjerë le të zgjedhin: të bëjnë zgjidhje, ose të bëjnë sehir për përshkallëzimin e ç’ekulibrimit real social të Kosovës. /Buletini Ekonomik/