Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se që nga dita e djeshme ka filluar punën Komisioni Ministror për Skemën e Garantuar për të Rinjtë.
Ky komision ka për qëllim që të ekzaminojë kapacitetin e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), si organ koordinues i kësaj skeme, përcjell Buletini Ekonomik.
Dje, nën udhëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Muratit, si kryesues i Komisionit Ministror, u mbajtë takimi i parë i Komisionit ku u diskutua lidhur me të gjeturat kryesore të ekipit teknik. Murati përmes një njoftimi në facebook, shkroi se raporti i hartuar nga ekipi teknik paraqet të dhënat fillestare statistikore për të rinjtë që nuk janë në punë, shkollë apo trajnim, si dhe identifikon ndryshimet që duhet të bëhen në legjislacion.
Bazuar në analizën e prezantuar nga komisioni në fjalë, ministri Murati tha se vërehet përqindja e lartë e të rinjve që nuk janë në punë, shkollë apo trajnim, e që kanë të përfunduar shkollimin universitar, e dhënë kjo që flet për barrierat që të rinjtë hasin për t’u qasur në tregun e punës. Murati, me këtë rast, i njoftoi anëtarët e Komisionit që MFPT është në fazën përfundimtare të lansimit të platformës së punësimit, e cila targeton pikërisht këto grupmosha.
Tutje, një e gjetur tjetër nga ekipi teknik shpërfaqë se në të shumtën e rasteve, numri i vogël i grave aktive në tregun e punës ndodhë si rezultat i obligimeve familjare. Në këtë kontekst, ministria e Financave njoftoi komisionin se është duke punuar në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të ndërtuar çerdhe të reja, të cilat rrjedhimisht do të ndihmojnë integrimin e grave në tregun e punës.
Ndërkohë, anëtarët e këtij Komisioni u pajtuan që të ndërmarrin hapat e mëtutjeshëm për të vazhduar bashkëpunimin në implementimin e suksesshëm të kësaj Skeme, që sipas tyre pritet të ndikojë ndjeshëm në integrimin e të rinjve në tregun e punës, e gjithashtu të reflektojë edhe një ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. /Buletini Ekonomik/











