Kurti në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor: Liberalizimi i tregut të punës ndodhë vetëm kur ka zotim të vërtetë të gjashtë vendeve të rajonit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e pestë për Investime në Ballkanin Perëndimor, organizuar në Londër nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Ne duam të kemi sa më shumë bashkëpunim rajonal ku vlerat e BE-së janë gjithmonë të ndërlidhura me fondet e BE-së, dhe në këtë mënyrë, kjo lidhshmëri, qoftë në aspektin e punës, energjisë apo infrastrukturës do të na ndihmojë, duke u bërë valë që shtyn të gjithë drejt integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Kurti në hapje të samitit.

“Qeveria jonë, në mënyrë proaktive, do të përpiqet të ketë bashkëpunim me vendet fqinje, duke respektuar parimet demokratike të respektit të dyanshëm, të vendosura me rastin e themelimit dhe zhvillimit të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

 

Reklama e sponzorizuar

Stabiliteti politik, rritja ekonomike, fuqia punëtore e talentuar dhe e re e Republikës së Kosovës, si dhe mundësitë për më shumë investime në Kosovë, u theksuan nga kryeministri Kurti në sesionin e përbashkët me pesë udhëheqësit e qeverive nga Ballkani Perëndimor.

“Ne e shohim tregun e punës si diçka të rëndësisë së lartë në aspektin makro-ekonomik dhe planifikimin për të ardhmen. Mendojmë se liberalizimi i tregut të punës ndodhë vetëm kur ka zotim të vërtetë të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria kanë arritur shumë, si rezultat i gatishmërisë së të dyja vendeve.

“Jemi duke ecur në drejtim të njëjtë me Shqipërinë me themelimin e tregut të përbashkët të energjisë i cili pritet që të funksionalizohet këtë vit dhe presim që të integrojmë më mirë kapacitetet e gjenerimit gjithashtu”, tha më tej kryeminsitri Kurti.

“Kriza aktuale ka treguar se duhet menduar për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit, dhe që duhet menduar në terma rajonalë. Kalimi jonë drejt prodhimit të energjisë së gjelbër nënkupton më shumë sisteme të integruara dhe kapacitete të gjenerimit të cilat mund ta balancojnë njëra-tjetrën më mirë”, shtoi ai.

Ndërsa duke folur për interkonektivitetin e infrastrukturës, kryeministri bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës ka siguruar financimin e pothuajse të gjitha autoudhëve dhe hekurudhave të mëdha të cilat gjenden në Rrjetin trans-evropian të transportit.

Jemi të vendosur në ndërtimin e pikë kalimeve kufitare të cilat kanë infrastrukturë cilësore dhe të cilat reduktojnë kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat. Megjithatë, për të pasur integrim të plotë të rajonit ne mendojmë se duhen shtuar dy akse, njëra mes Prizrenit në Kosovë dhe Tetovës në Maqedoninë e Veriut, dhe tjetra është hekurudha ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit në Shqipëri, theksoi ai.

 

Duke folur për Agjendën e gjelbër, kryeministri tha se kemi nevojë për tranzicion të shpejtë dhe rregullues, por duam gjithashtu të shfrytëzojmë mundësitë me planin ekonomik dhe investues për tranzicionin energjetik. Ai theksoi se jemi duke hartuar politikën energjetike 2022-2030 për Kosovën, duke analizuar të gjitha elementet e nevojshme që të kemi çmime të përballueshme, por në të njëjtën kohë furnizim të qëndrueshëm.

“Do të fokusohemi shumë në diversifikimin, decentralizimin, efikasitetin, por në të njëjtën kohë do të na duhet ndërhyrje e caktuar në termocentralet ekzistuese për të ulur ndotjen. Energjia solare dhe me erë, të dyja kanë potencial në Kosovë”, theksoi kryeministri.

Ai veçoi punën që po bën qeveria në procesin e digjitalizimit në Kosovë, me synim të trefishtë: përmirësimin e llogaridhënies, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve. Po ashtu, theksoi potencialin për zhvillim të mëtejmë të turizmit malor, si malet e Sharrit dhe malet e Rugovës.

Kryeministri Kurti shprehu solidaritetin dhe admirimin e tij për popullin e Ukrainës, presidentin Zelensky, për guximin dhe luftën e tyre çlirimtare kundër invazionit dhe agresionit ushtarak rus.

 

Samiti për Investime në Ballkanin Perëndimor ka për qëllim të nxjerrë në pah mundësitë për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.