Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas mbylljes së dy depove nga aksioni i Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë.
Ka përsëritur se rritja e çmimit prej 3.49 euro për një litër vaj është artificiale.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka shtuar se kontrolli dhe mbikëqyrja është shtuar dhe do të ndëshkohet secili që manipulon dhe përfiton në kohë krize.
“Pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë-Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni. 3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizë”, ka shkruar ai.