Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se ministria që ai udhëheqë së bashku me Qeverinë, kanë propozuar nivelin e pagës minimale në takimin e Këshillit Ekonomik që u mbajt dje.
Sipas një njoftimi për media nga Murati, përllogaritja sipas udhëzimit administrativ që u prezantua para Këshillit Ekonomik Social ishte 240.2 euro në muaj, mirëpo Qeveria së bashku me Ministrinë e Financave propozuan që paga minimale të jetë 264 euro në muaj, apo 1.5 euro për orë, përcjell Buletini Ekonomik.
“Përllogaritja sipas udhëzimit administrativ që u prezantua para KES ishte 240.2 euro/muaj. Megjithatë, ne si qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi”, thuhet në njoftim.
Mëgjithatë, ky propozim i ministrisë nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim, pasi përfaqësuesit e Sindikatave në vend nuk e mbështetën këtë propozim.
Nga Ministria e Financave thonë se kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të shpjegohet, meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale.
Ministri Murati tha se krejt çka do të arrihet me këtë mos-votim të këtij propozimi është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro. /Buletini Ekonomik/