LDK-ja propozon tri masa për tejkalimin e krizës ekonomike në vend

Avdullah Hoti-deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka propozuar tri masa për tejkalimin e krizës ekonomike në vend.

Hoti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës është shprehur se kriza energjetike, ajo e çmimeve dhe pasiguria botërore e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë janë indikacionet se gjendja ekonomike e qytetarëve në vend është vështirësuar.

“Janë tri kriza që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës gjatë vitit të kaluar. Kriza energjetike, kriza e çmimeve dhe pasiguria botërore që është shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Të gjithë indikatorët tregojnë se jeta e qytetarëve është vështirësuar, ku nga një vlerësim i afërt tregohet se kostoja e shportës për një familje është rritur nga 25 euro deri 200 euro, prandaj është e pashmangshme që të dizajnohen pako ekonomike si në kohën e pandemisë COVID-19. Vonesat në këtë drejtim do të shtojnë barrën e familjeve”, tha Hoti, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se të gjitha këto masa janë të përballueshme për buxhetin e shtetit dhe se sipas tij, duhet të merren sa më parë në mënyrë që të mos vijmë në një situatë që Qeveria t’i merr këto masa nën presione.

“Ne për këtë kemi tri propozime. Masa e parë dhe e menjëhershme do duhej të ishte indeksimi i të gjitha përfitimeve pensionale dhe ndihmave sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, që nënkupton rritje e të gjitha pensioneve dhe ndihmave sociale për aq sa janë rritur çmimet e produkteve ushqimore bazike. Kjo masë i prekë të gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare si dhe të tjerë që marrin çfarëdo asistence nga shteti”, është shprehur ai.

“Masa e dytë do të ishte rritja e subvencioneve në bujqësi për të mundësuar vazhdimësinë e aktivitetit bujqësor për shkak të rritjes tej mase të çmimit të farërave, plehrave dhe inputeve të tjera bazike për bujqësi. Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësorë”, ka shtuar Hoti.

“Ndërsa, masa e tretë që duhet konsideruar është rritja e menjëhershme e pagës minimale sipas një indeksi që merr parasysh koston e jetesës, si dhe rritje e pagave në sektorin publik gjithashtu bazuar në një indeksim për koston e jetesës. Këtu nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shume dukshëm më të vogël sesa ajo që është propozuar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve që janë në menaxhim të Trustit për qëllime të sigurisë së të ardhurave për pensionistët e ardhshëm. Kjo masë prek të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.