Mbi gjysma e bizneseve në Kosovë thonë se është i pranishëm korrupsioni në prokurim publik

Pandëshkueshmëria, zvarritja e proceseve gjyqësore dhe mosraportimi i korrupsionit janë disa nga faktorët që bizneset në Kosovë thonë se janë të pranishme gjatë punës së tyre.

Kështu thuhet në raportin “Perceptimi mbi Prokurimin Publik” të prezantuar nga Lëvizja Fol, duke shtuar se 56 për qind e bizneseve thonë se korrupsioni është i pranishëm, shkruan Telegrafi.

“Mbi gjysma e bizneseve apo 56 për qind po ashtu mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm. Nga këto biznese, rreth një në tre mendojnë se faktorët që lehtësojnë ndikimin e korrupsionit në prokurim publik janë pandëshkueshmëria me 35 për qind, zvarritja e proceseve gjyqësore me 32 për qind dhe mos raportimi i korrupsionit me 32 për qind. Më pak mendojnë se zbrazëtitë ligjore me 20 për qind apo mungesa e vullnetit politik me 19 për qind lehtësojnë korrupsionin. Këto perceptime kryesisht i bazojnë nga përvoja e miqve me 40 për qind apo ajo personale me 24 për qind e më pak nga burime të tjera”, thuhet në raport.

Reklama e sponzorizuar

Sipas bizneseve të anketuara, rreth 50 për qind e tyre pajtohen se procesi i prokurimit publik zhvillohet në përputhje me interesin e partisë në pushtet.

“25 për qind e bizneseve pohojnë se ato që fitojnë tenderë ndryshojnë ndonjëherë pas ardhjes së një ministri/eje apo kryetari/je të ri në pushtet, e 27 për qind mendojnë se ndryshojnë shpesh ose pothuajse gjithmonë. Ngjashëm, rreth 31 për qind mendojnë se aktorët politikë që tregojnë mirënjohje për biznese që i kanë dhuruar para partisë apo kandidatit për fushatën shpërblehen me kontrata prokurimi pas fitimit të zgjedhjeve dhe 24 për qind mendojnë se kjo ndodh ndonjëherë. Kurse, 29 për qind e tyre mendojnë se situatat kur kompanitë që kanë fituar tenderë tregojnë mirënjohjen e tyre ndaj partive duke u dhuruar para në zgjedhjet e ardhshme ndodhin shpesh ose pothuajse gjithmonë dhe 26 për qind mendojnë se ndodhin ndonjëherë”, vijon raporti.

Faktorët e ndikimit të korrupsionit në prokurim publik | Burimi: Lëvizja Fol

Disa praktika negative që ndikojnë në procesin e prokurimit publik, sipas raportit, janë përshtatja e specifikave tenderuese për kompani të caktuara, paqartësia e informatave në tenderë, abuzimi me dispozita ligjore për përfitime apo edhe konflikti i interesit.

“Bizneset e anketuara besojnë se më e përhapur është përshtatja e specifikave tenderuese me 45 për qind. Ndërsa, për praktikat tjera rreth një në tre prej tyre mendojnë se janë të përhapura në prokurim publik. Sa i përket perceptimeve mbi keqpërdorimet e mundshme në prokurim publik sipas vlerës së kontratës, mbi gjysma deklarojnë se nuk e dinë nëse ka më shumë keqpërdorime në kontrata me vlera të larta apo nëse në të gjitha llojet e kontratave mundësia për keqpërdorim është e njëjtë apo 51 për qind. Megjithatë, 34 për qind mendojnë se nuk ka dallim në keqpërdorime sipas vlerës, e 15 për qind mendojnë se në kontrata me vlera më të larta ka më shumë keqpërdorime”, thekson Fol.

Raporti po ashtu shpalos çfarë do t’i motivonte bizneset mospjesëmarrëse në prokurim publik të fillonin të merrnin pjesë, e ato pjesëmarrëse çfarë përvojash kanë pasur në prokurim publik, çfarë procedurash preferojnë, sa e njohin rregullimin institucional të prokurimit publik dhe çfarë do të ndryshonin.

“Shumica e bizneseve mospjesëmarrëse nuk dhanë një mendim rreth asaj se çfarë do t’i shtynte të merrnin pjesë në prokurim publik. Por, një pjesë e vogël vlerësojnë se transparenca më e madhe në procesin e përzgjedhjes së fituesit të kontratës apo 17 për qind, në thirrjen për tenderim me 11 për qind, kriteret e qarta të tenderit me 4 për qind, apo kushtet më të mira të thirrjes për tenderim me 2 për qind do t’i motivonin. Një pjesë e tyre u shprehën se nuk kanë interesim që të futën në prokurim publik ngaqë janë të fokusuar në sektorin privat dhe disa se nuk kanë kohë”, thuhet në raport.

Vlera dhe pjesëmarrja e kontratave në prokurim publik | Burimi: Lëvizja Fol

Shumica e bizneseve pjesëmarrëse në prokurim publik kishin fituar tenderë dhe atë disa herë dhe në vlera të ndryshme, ku mbi gjysma e tyre u shprehën se kanë hasur në raste kur specifikat e tenderit janë përshtatur për biznese të caktuara.

“Një e treta e biznesece kanë deklaruar se kanë pasur raste kur oferta e tyre për tenderim iu është refuzuar disa herë. Më së shumti deklarojnë se arsyet për refuzim të ofertës kishin të bënin me mos përmbushje të kritereve me 57 për qind apo mungesë dokumentacioni me 45 për qind, e në disa raste për shkak se ishte jo e arsyeshme ekonomikisht me 24 për qind. Pak nga ta deklarojnë se nuk kishte pasur arsye për refuzim të ofertës me 12 për qind”, raporton Fol.

Bizneset po ashtu dhanë mendime për kriteret që duhet të merren më së shumti parasysh në vlerësimin e një tenderi dhe mbi dy të tretat e tyre mendojnë se kualiteti i ofruar duhet të jetë kryesori vazhduar nga përvoja profesionale dhe teknike e ofertuesit.

Mbi gjysma e bizneseve mendojnë se autoritetet kontraktuese përmes thirrjeve për tender e nxisin konkurrencën. Po ashtu, 81 për qind e tyre perceptojnë se e-Prokurimi mund të ndihmojë në luftimin e korrupsionit.

“Nga ato biznese që e përdorin e-Prokurimin, 58 për qind janë shumë të kënaqura me sistemin elektronik të prokurimit; 61 për qind e bizneseve janë shumë të kënaqura me ndërveprimin me e-Prokurimit; 59 për qind e bizneseve janë shumë të kënaqura me funksionalitetin e dorëzimit të ofertës për tender; dhe po aq biznese janë shumë të kënaqura me lehtësinë e gjetjes së tenderëve për të cilët janë të interesuar. Megjithëse mjaft biznese janë të kënaqura me funksionalitetin e prokurimit elektronik, rreth 29 për qind e tyre do të ndryshonin të bënin disa ndryshime në të. Konkretisht, ato biznese do të donin që e-Prokurimi të bëhej më i shpejtë gjatë procesit të ofertimit dhe të ishte më i thjeshtë në përdorim apo 50 për qind”, thekson raporti.

Refuzimi i ofertave në prokurim publik | Burimi: Lëvizja Fol

Sipas gjetjeve të kësaj ankete, duket se bizneset janë të ndara në dysh rreth përshtypjeve të tyre mbi prokurimin publik në të shumtën e rasteve që anketa ka shtjelluar gjë që tregon se ka ende shumë hapësirë për të përmirësuar proceset në prokurimin publik dhe për të rritur vetëdijen e bizneseve mbi mekanizmat ligjore që ekzistojnë për rregullimin e prokurimit publik.

“Nga diskutimet ne fokus grupe, përgjithësisht ekziston një lloj pajtueshmërie në mes të qytetarëve dhe bizneseve mbi sfidat dhe parregullsitë në prokurim dhe një pajtueshmëri indirekte edhe nga ana e zyrtarëve të prokurimit. Qytetarët, ashtu si dhe bizneset mendojnë se ka korrupsion, dhe se nepotizmi ekziston edhe në ditët e sotme. Ata hasin sfida nga më të ndryshmet, ku mendojnë se kryesisht, korrupsioni ndërlidhet me aspektin politik; nënkupton favorizime në bazë të preferencave politike dhe personale. Për më tepër, ata e shohin problemin si një zinxhir, ku pjesë e tij janë edhe vet. Një problem i tillë zinxhiri, kërkon vetëdijesim shumë më të madh, dhe punë më intensive, në mënyrë që të bëhet parandalimi i tij”, përfundon anketa.

Ky raport ka analizuar të dhënat e 150 biznese në Kosovë rreth perceptimeve dhe përvojave të tyre në prokurim publik, ku 95 ishin pjesëmarrës në tenderim. Po ashtu, një në katër prej tyre mendojnë se trajtimi i favorshëm në procedura të hapura, ndjekur nga përshpejtimi i një procedure burokratike, shmangia e dënimeve janë arsye që i shtyjnë bizneset të përfshihen në korrupsion.