Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar se bujqit me rastin e aplikimit për subvencione, përveç aplikimit për sipërfaqe të kulturave të mbjella, në të njëjtin aplikacion do t’iu kalkulohet edhe subvencionimi për naftën dhe plehrat.
Blendrita Avdiu
Programi i Pagesave Direkte – Subvencioneve për vitin 2022 nga Ministria e Bujqësisë është paralajmëruar se do të fillojë nga muaji mars i këtij viti. Tashmë për këtë program janë ndarë afro 50 milionë euro, që do të ju vijnë në ndihmë bujqve kosovarë.
Në një përgjigjie për Buletinin Ekonomik, kjo ministri thotë se në bazë të vendimit për subvencionimin e tokës së mbjellur me kultura bujqësore të caktuara, në aplikacionin që bujqit duhet të plotësojnë për përfitim të subvencioneve, aty do të kalkulohet edhe subvencionimi i naftës dhe plehërave të nevojshme për bujqit, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas tyre, shuma e subvencionimit llogaritet varësisht nga sipërfaqet e deklaruara të bujqve, porse kompensimi i plehërimit do të bëhet vetëm për kulturat e grurit, misrit, patates dhe fasules.
Në kuadër të masave mbështetëse të këtij viti, MBPZhR-ja ka njoftuar se do të subvencionojë edhe inputet bujqësore për plehërim pranveror, ku për grurin do të jepen nga 150 euro për hektarë, ndërsa për misrin, fasulen dhe pataten nga 100 euro për hektarë, me një vlerë totale prej 8 milionë eurove. Në këtë rast, misri do të subvencionohet me plehra për 119 për qind më shumë, kurse patatja dhe fasulja për 118 për qind.
Zyrtarët e kësaj ministrie kanë thënë se inputet bujqësore, në mesin e tyre edhe plehërat artificiale, tashmë janë të liruara nga TVSH-ja, përjashtimisht disa insekticideve që janë të ngarkuara me TVSH, pasi që siç thonë ata, disa prej insekticideve gjejnë përdorim edhe në amvisëri.
Nga kjo ministri, po ashtu thonë se gjatë këtij viti do të ketë rritje të përkrahjes financiare deri në 216 për qind për shumicën e kulturave bujqësore.
“Pas nënshkrimit të këtij Programi, kanë pasuar procedurat tjera, siç është hartimi i Udhëzimit Administrativ për Pagesa Direkte për Bujqësi për vitin 2022, i cili tashmë është përgatitur dhe është proceduar për konsultim paraprak dhe publik dhe në të cilin do të përcaktohen të gjitha procedurat tjera në këtë proces, si dhe kriteret që duhet plotësuar fermerët aplikues. Dhe pas përfundimit të këtyre procedurave, do të shpallet edhe thirrja për aplikim për subvencione për vitin 2022”, thonë nga MBPZHR-ja.
Përmes programit për Pagesa Direkte/Subvencione, kultura e grurit këtë vit pritet të subvencionohet me 474 euro për hektarë – përfshirë këtu shpenzimet e plehut dhe të naftës. Ndërkohë pritet të ketë 100 për qind rritje të pagesave direkte për perimet e mbjella në sera, kurse 85 për qind rritje të mbështetjes për perimet e mbjella në fushë të hapur. Kështu, për kulturën e fasules dhe patates, sipas MBPZHR-së, mbështetja nga 300 euro sa ishte për hektarë në vitin 2020, tash do të rritet në 654 euro për hektarë. Ndërkaq, për kulturat tjera perimore, si spinaqi, qepa, preshi, etj., mbështetja në kuadër të këtij viti, do të jetë 545 euro për hektarë, nga 300 euro sa ishte viteve të kaluara.
Sa i përket kulturës së misrit, ajo këtë vit pritet të mbështetet me 329 euro për hektarë, përderisa më 2020 mbështjetja për këtë kulturë ishte 150 euro për hektarë. Tutje, gruri gjithashtu do të subvencionohet me 304 euro për hektarë këtë vit, ndërsa elbi me 204 euro, kultura këto që më 2020 ishin mbështetur më nga 250, përkatësisht 150 euro.
Po ashtu, MBPZhR-ja në fillim të këtij viti ishte zotuar se do të subvencionojë 75 për qind të vlerës së primit të sigurimit për disa kultura bujqësore. Nga ministria në fjalë thonë se tashmë i kanë njoftuar të gjithë fermerët që i plotësojnë kriteret për subvencionim, se mund të bëjnë blerjen e polisës së sigurimit bujqësor indeks dhe tradicional. /Buletini Ekonomik/