BE miraton 206.4 milionë euro për Kosovën, Kurti: Zbatimi i projekteve nis pas ratifikimit në Kuvend

Bashkimi Evropian - BE (ilustrim)

Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, duke i hapur rrugë investimeve në vlerë prej 206.4 milionë eurosh në sektorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili njoftoi se Komiteti i IPA-s ka konfirmuar më 7 korrik miratimin e projekteve me vlerë prej 180.5 milionë euro. Sipas tij, pas miratimit formal nga Komisioni Evropian dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare në Kuvendin e Kosovës, projektet do të kalojnë në fazën e zbatimit.

Fondet do të orientohen në disa fusha prioritare, përfshirë mjedisin dhe klimën (44 milionë euro), energjinë (34.5 milionë euro), menaxhimin e kufijve dhe migrimin (30.5 milionë euro), konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin (31.8 milionë euro), qeverisjen e mirë dhe përafrimin me Bashkimin Evropian (24.7 milionë euro), si dhe sundimin e ligjit (15 milionë euro).

Sipas Kurtit, rreth gjysma e fondeve të miratuara do të investohen në projekte infrastrukturore, ndërsa shumica e tyre do të realizohen në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.

Përveç fondeve të programeve IPA, Kosova ka siguruar edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me vlerë të përgjithshme prej 25.9 milionë eurosh.

Projektet përfshijnë asistencë teknike për përgatitjen e investimit në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, përgatitjen e segmentit të autostradës Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe një grant investues prej 24.3 milionë eurosh për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë, në bashkëpunim me BERZH.

Në total, sipas Qeverisë, vlera e fondeve të miratuara nga Bashkimi Evropian arrin në 206.4 milionë euro, të destinuara për investime infrastrukturore dhe projekte që synojnë përmirësimin e zhvillimit ekonomik dhe cilësisë së shërbimeve publike.