Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Faton Peci, ka njoftuar se sot ka nënshkruar Programin për Pagesa Direkte 2022/Subvencione, që sipas paralajmërimeve të ministrisë, këtë muaj do të fillojnë edhe thirrjet për aplikim.
Në një njoftim për media nga ministri Peci sot, ai ka thënë se rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, do t’i kundërpërgjigjen me rritje enorme të përkrahjes për bujqit.
Sipas ministrit, përkrahja do të jetë substanciale për shumicën e produkteve e posaçërisht për produktet strategjike për siguri kombëtare siç janë drithërat, respektivisht gruri, mandej perimet, kulturat pemëtare e të tjera.
Ministri Peci shtoi se gjatë javës së ardhshme, do të shpaloset në detaje edhe Programi dhe Pakoja gjithëpërfshirëse për veprimet qeveritare në mbështetje të sektorit të bujqësisë.
Ndërkohë, Programi për Zhvillim Rural 2022/Grante, ministri njoftoi se do të aprovohet pas dy javëve. /Buletini Ekonomik/