Sektorët që u goditën më shumë dhe bizneset që përfituan nga pandemia

Pandemia e Covid-19 ka ndikuar ndjeshëm në aktivitetin e bizneseve, që prej muajit mars kur vendi hyri në karantinë totale dhe në muajt e mëpasshëm, si rrjedhojë e ndryshimit të tendencave të konsumit dhe të frenimit të tij.

Sipas INSTAT, për 9 mujorin 2020, ekonomia është tkurrur me 5.52%, me rënien më të lartë që u shënua në të dytin (-10.2), ndërsa në të tretin me -3.47%.

Ecuria e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për tremujorin e katërt pritet të publikohet në fund të marsit, por statistikat afatshkurtra, që janë treguesi më i hershëm i PBB-së sinjalizojnë për një përmirësim të aktivitetit ekonomik në shumë sektorë, me përjashtim të bizneseve të lidhura me turizmin, udhëtimet (transportin), bar restorantet, industrisë së këpucëve etj. Edhe konsumi i është rikthyer rritjes, ndonëse është i nxitur kryesisht nga shpenzimet për ushqimet bazë dhe sidomos për kujdesin shëndetësor, të lidhur me pandeminë.

Reklama e sponzorizuar

SEKTORËT QË U GODITËN MË SHUMË

Agjencitë e udhëtimit dhe hotelet me humbjet më të mëdha

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Ndalimi i udhëtimeve dhe i aktiviteteve turistike, që ende po vijon, ka bërë që agjencitë e udhëtimit të jenë më të goditurat në vend nga pandemia. Ky sektor nuk po arrin të marrë veten.

Pas rënies së aktivitetit me 86% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, vera vijoi me tkurrje prej 57%. Ndërsa në tremujorin e fundit, rënia u përshpejtua sërish në -66.4%, teksa as të huaj nuk erdhën dhe as shqiptarët nuk udhëtuan jashtë për festat e fundvitit.

Të dhënat e INSTAT treguan se në 2020-n, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend ra me 58%, ndërsa i shqiptarëve që dolën jashtë u tkurr me 51%.

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Në vend ka gjithsej rreth 1300 agjenci udhëtimi, sipas INSTAT.

Në të njëjtën linjë, aktiviteti i hoteleve është i dyti me rënien më të madhe. Volumi i aktivitetit të këtij sektori që vitet e fundit kishte marrë hov për shkak të rritjes së numrit të turistëve, ra me 63% gjatë periudhës së karantinës.

Pas një rikuperimi në muajt e verës, por që mbeti sa dy të tretat e vitit 2019, që ishte më i miri historik për turizmin, shitjet e këtij sektori ranë sërish me 41% në muajt e fundit të vitit, pas rikthimit të pjesshëm të karantinës.

Në vend ka rreth 1400 hotele, sipas INSTAT.

Më pak kohë dhe para të shpenzuara në bare e lokale

Një prej aktiviteteve më të përhapura në vend është ai i bareve dhe restoranteve. Në fund të vitit 2019 kishte rreth 17 mijë subjekte që ushtronin këtë aktivitet, ose 15% e totalit.

Por, karantina e mars-majit dhe më pas kufizimet në oraret e mbrëmjes kanë bërë që ky aktivitet të jetë në vështirësi. Indekset e volumit ranë me 55% në tremujorin e dytë. Në periudhën në vijim, ndonëse sektori e mori veten, ai u tkurr me 19% në tetor-dhjetor.

Transporti vijon tkurrjen

Sektori i katërt me rënien më të madhe është ai i transportit, si ajror ashtu dhe urban e ndër qytetas.

Volumi i aktivitetit u tkurr me 40% në periudhën e karantinës dhe në tremujorin e fundit të vitit, rënia u zbut në 18%.

Shumë shoqëri transporti po punojnë me kapacitete të përgjysmuara.

Fluturimet tregtare u tkurrën me 60% në 2020-n, ndërsa edhe në muajt e parë tkurrja ka qenë në nivele të ngjashme. Janë mbi 5 mijë kompani transporti në vend.

 

Industria nxjerrëse vijoi me rënie, rimëkëmbet ajo përpunuese

Shumë kompani u detyruan të pezullonin përkohësisht aktivitetin gjatë karantinës. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madhi në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës pezulloi nxjerrjen e naftës në prill, për herë të parë në histori. Kurum, prodhuesi i çelikut e mbylli përkohësisht aktivitetin. Më pas, situata u përmirësua për industrinë përpunuese, që në tremujorin e katërt arriti të rritej me 8.2%, ndërsa vijoi të jetë e tkurrur për atë nxjerrëse, si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare. Aktiviteti i industrisë nxjerrëse ra me 26% me bazë vjetore në tremujorin e katërt.

Në rënie ka vijuar dhe Industria Ushqimore, Pije, Duhan, që ka mbetur në terren negativ përgjatë gjithë vitit, duke u tkurrur me 12.4% në tremujorin e fundit.

TË FITUARIT

Teknologjia e informacionit

Pandemia përshpejtoi ecjen e ngadaltë të bizneseve drejt teknologjisë. Shitjet e pajisjeve kompjuterike u rritën në tremujorin e dytë, sipas Indeksit të tregtisë me pakicë të INSTAT.

Në të njëjtën linjë, orientimi i punës nga shtëpia, apo diversifikimi drejt shitjeve online nxitën kërkesën për më shumë teknologji informacioni.

Aktiviteti i programimit të kompjuterëve është i vetmi që ka shënuar rritje në të gjithë tremujorët, duke kulmuar në një zgjerim vjetor prej 34% në muajt e fundit të vitit.

Për shkak të nevojës së shtuar për komunikim, si rrjedhojë e distancimit social, “Informacioni dhe komunikimi” ka arritur të ruajë nivelet e një viti më parë, me një tkurrje prej 5.8% vetëm në tremujorin e dytë, ndërsa më pas i është rikthyer rritjes së lehtë.

Bumi i ndërtimit

Viti 2020 nuk nisi i mbarë për sektorin e ndërtimit, që u step pas tërmetit me pasoja shkatërruese të 26 nëntorit.

Rimëkëmbja filloi që në tremujorin e dytë(+2.5%) për të kulmuar në të katërtin, kur sektori pa një zgjerim prej 25%.

Ngritja e kullave, hoteleve, por edhe procesi i rindërtimit kanë ndikuar në këtë tendencë.

Sektorë të tjerë me rritje

Në tremujorin e fundit, rritje pozitive shënuan sektori i energjisë  (+16.3%), tregtia (+2%), prodhimi i mobilieve (+2.4%), metalurgjia (+32%), si rrjedhojë e rritjes së Kurum,  tregtia me shumicë e pakicë (+4%), Aktivitete inxhinierike dhe arkitekturore; analiza dhe testime teknike (+54%).

KONSUMI RIMËKËMBET NGA …ILAÇET

Konsumi u rimëkëmb në tremujorin e fundit të vitit, për herë të parë pas pandemisë. INSTAT raportoi se shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 2,6%,krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Por, të dhënat më të detajuara sipas aktiviteteve ekonomike tregojnë se rritja e shpenzimeve për konsum ka ardhur kryesisht për dy nevoja kryesore, njëra bazike për ushqime e pije, ndërsa tjetra e detyruar nga situata pandemike, duke rritur në nivele rekord blerjet e produkteve farmaceutike e mjekësore.

Në dhjetor blerjet e produkteve ushqimore e të tjera u rritën si në dyqanet e pa specializuara (ato të ashtuquajtura të lagjes), ashtu dhe në ato të specializuara (supermarkete), përkatësisht me 9 dhe 7.8%, sipas indeksit të vlerës.

Sipas INSTAT, indeksi i vlerës për “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike”, u rrit me rreth 22% si në tetor ashtu dhe në nëntor, në krahasim me muajt përkatës të një viti më parë. Ndërsa në dhjetor, kur kulmoi pandemia e Covid-19, treguesi në vlerë u rrit me 26%. (Në të njëjtat nivele është rritur dhe treguesi në volum).

Konsumi i karburanteve ka vijuar të jetë i dobët; blerjet e produkteve kompjuterike kanë rënë, pasi u rritën ndjeshëm në periudhën e karantinës; blerjet e veshjeve u rritën në tetor, për t’u ngadalësuar më muajt e mëpasshëm./ O.Liperi