Aktualisht buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë këtë vit i janë shtuar edhe 10 milionë euro të tjera.
Në një njoftim në facebook të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thuhet se në kuadër të Programit të Granteve, do të jetë masa përkrahëse për agroturizëm, që është njëri ndër sektorët më me potencial për zhvillimin ekonomik e bujqësor të vendit ku do të mbështetet ndërtimi i pikave të reja grumbulluese për perimtarët dhe pemëtarët, si mekanizma lehtësues për plasimin e produkteve në treg.
Në bazë të analizave të tregut, siç ceket në njoftim do të bëhet klasifikimi i disa produkteve me interes strategjik dhe jetik në vend dhe përkrahja do të orientohet në këto kultura strategjike.
Në anën tjetër në njoftim poashtu thuhet se risi në kuadër të Programit për Zhvillim Rural do të jetë përkrahja e fermerëve në gjithë zinxhirin prodhues, po ashtu edhe në aspektin e prodhimit të fidaneve cilësore për pemëtarët dhe perimtarët, gjë që synohet që në 2-3 vitet e ardhshme Kosova të akreditohet me standarde IPARD, që do të jetë mundësi e jashtëzakonshme për qasje në fondet e BE-së, që mundëson rritjen e përkrahjes për sektorin e bujqësisë.
Në anën tjetër, thuhet se do të realizohen projekte konkrete për të rritur sipërfaqen e tokës bujqësore nën sistemin e ujitjes, ndërkohë që do të ketë edhe angazhim në vazhdimësi për avancimin e qeverisjes në MBPZhR.
Sipas njoftimit, me ngritjen e kapaciteteve të teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimin e disa fushë-veprimtarive, të dhëna do të jenë të sakta dhe do të ketë një sistem që mënjanon praktikat jo të mira që kanë ekzistuar në të kaluarën në MBPZhR.
“Buxheti institucional do të ketë vetëm një adresë, fermerin e vyeshëm, real dhe faktik”, thuhet në njoftimnin e MBPZHR-së.
Tutje thuhet se rritjen më të madhe përmes masave mbështetëse këtë vit do ta kenë perimtarët, në mënyrë që të mbulojmë pjesën e nevojave të tregut me këto prodhime, duke ditur se produktet e perimeve janë ato që janë importuar më së shumti në vitin 2021. Poashtu edhe kultivuesit e mjedrës, të cilët kanë depërtuar në tregun evropian, janë storie suksesi që duhet ndjekur nga prodhuesit tjerë./Buletini Ekonomik/