Nga do ta importojë Kosova tani vajin, pas ndalimit të eksportit nga Maqedonia e Serbia?

Vaji

Vajin që e importonte nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, Kosova tash duhet ta kërkojë në shtetet e tjera. Këto dy vende kanë vendosur që ta pezullojnë eksportin e këtij produkti, pas rritjes së kërkesave. Mungesë të këtij produkti, vendi ka edhe në rezervat shtetërore.

Çfarëdo situate që ndodh në vend apo diku më larg, veprimin e parë që e bëjnë kosovarët është furnizimi me produkte ushqimore esenciale. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ata menjëherë ua mësynë marketeve për miell, vaj e sheqer.

Frika se do të mbesin pa vaj, i shtyu ata që një shishe ta blejnë deri në 3 euro e 49 centë. Ky çmim u vendos nga disa markete, që vendosën ta shfrytëzojnë këtë situatë, duke e rritur çmimin brenda orës.

Reklama e sponzorizuar

Çmimin e rritën me arsyetimin se ka mungesë, por që dyshimet janë se shishet i largonin vetë nga raftet e i dërgonin në depo.

E pikërisht në këtë kohë, dy shtetet prej të cilave vendi importon vaj më së shumti, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë vendosur ta pezullojnë eksportin e këtij produkti.

Një vendim i tillë vjen pikërisht në një kohë kur Kosova po përballet me mungesë të këtij produkti në rezerva shtetërore.

Se ka mungesë të këtij produkti e ka konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti, para gati një jave.

“Sa i përket rezervave të miellit, nuk jemi keq. Kemi mangësi sa i përket vajit të ushqimit. Vaji i lulediellit, lënda e parë e të cilit ka ardhur në masë të madhe nga Ukraina është brengë edhe për vendin tonë në javët e muajt në vijim. Por në raport me furnizimet që i bën në Evropë Federata Ruse, ne nuk jemi të prekur sepse edhe ashtu s’kemi pasur furnizim prej tyre as ndonjë shkëmbim tregtar”, është shprehur Kurti.

Bazuar në statistikat që Gazeta Express ka siguruar nga Dogana e Kosovës, vetëm këtë vit, nga këto dy shtete është importuar vaj luledielli në vlerë mbi 5 milionë e 300 mijë euro.

E vjet, vlera e importit të vajit nga Serbia e Maqedonia e Veriut ka qenë gati 20 milionë.

Kosova edhe e eksporton te to një sasi të vajit. Krahasuar me atë të importit, shumë më e vogël.

Bazuar në të dhënat e Doganës, këtë vit në Maqedoni të Veriut dhe Serbi, është eksportuar vaj në vlerë rreth 100 mijë euro.

Prej cilave shtete mund ta sigurojë importin që i nevojitet?

Vajin që deri tash e importonte nga këto shtete, Kosova mund ta zëvendësojë me importin nga shtetet e tjera prej të cilave blen vaj.

Viteve të fundit importi i këtij produkti është realizuar edhe nga Bullgaria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Gjermania, Greqia, Hungaria, Austria e Italia.

U pezullua edhe eksporti i miellit

Gazeta Express ka raportuar para dy javësh, se si Serbia ka pezulluar edhe eksportin e miellit.

Nga ky vendim preket direkt vendi ynë. Sipas statistikave të Doganës, Kosova më së shumti importon grurë nga Serbia.

Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që i bie se rreth 82 përqind e importit është realizuar vetëm nga ky shtet.

Importi i grurit nga Serbia ka qenë në vlera milionëshe edhe gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2020, vlera e importit ka qenë rreth 15 milionë euro, derisa në vitin 2021 ka qenë gati 23 milionë euro.

Përkthyer në përqindje, gjatë vitit 2021, rreth 85 përqind e importit të grurit ka qenë nga Serbia, kurse gjatë vitit 2020 ka qenë rreth 56 përqind.

Pas këtij vendimi, mullistët kosovarë kishin thënë se s’ka vend për shqetësim.

Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës kishte deklaruar se vendi ka rezerva të mjaftueshme të grurit.

I pyetur se për sa kohë mjaftojnë këto rezerva, ai kishte thënë se s’mund të japin ndonjë afat kohor.

“Duhmi me analizu gjendjen. Por, për grurin kemi rezerva të mjaftueshme brenda vendit. Nuk mund të japim periudhë. Muajin e fundit është prodhuar aq shumë miell dhe aq shumë miell ka dalë në treg, saqë realisht ne e kemi stërmbush tregun me miell, pra ka sa sasi të mjaftueshme të grurit brenda Kosovës”, kishte thënë Zejnullahu për Express.

Ndryshe, në fund të shkurtit, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.

“Në takim me mullisët na kanë siguruar që Kosova ka miell edhe për 3 deri në gjashtë muaj. Madje edhe sot na thanë se Kosova nuk ka nevojë për panik”, ka thënë ajo.

Ajo kishte thënë se janë siguruar edhe nga vendet e tjera zotime për furnizim me miell, në rast se Kosova mbetet pa rezerva të grurit.

“Në vazhdën e sigurisë së mallrave ne do të analizojmë të gjitha mundësitë për të mbrojtur tregun tonë dhe po marrim të gjitha veprimet sipas legjislacionit në fuqi”, tha ajo.

Pas luftës në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që te furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohen nga procedurat e prokurimit.

Rezervat shtetërore shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore apo luftës.