Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2021 duke u bazuar në aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.
Sipas raportit thuhet se BPV-ja në TM4 2021 ka shënuar rritje reale për 6.36 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2020).
Raporti poashtu shpalos të dhëna ku tregon se aktivitetet ekonomike, që kishin rritje në këtë tremujor ishin tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit ushqimor për 14.82 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse për 5.95 për qind, artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbimet e tjera për 4.78 për qind, industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, aktivitetet e rehabilitimit 4.32 për qind, informacioni dhe komunikimi për 4.03 për qind, bujqësia, pyjet dhe peshkimi për 1.83 për qind, aktivitetet e pasurive të paluajtshme për 1.97 për qind, si dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit për 0.41 për qind.
Ndërkaq, aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie reale në këtë tremujor ishin administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia me -5.75 për qind dhe ndërtimtaria me -5.21 për qind.
Ndërkohë, i njejti raport poashtu tregon se komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 33.38 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 17.09 për qind, shpenzimet e konsumit final me 8.65 për qind si dhe Shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 4.46 për qind.
“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë ASK-ja, jepet një vlerësim paraprak për vitin 2021, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve, kishte një rritje reale prej 10.53%, krahasuar me vitin 2020”, përfundon raporti i ASK-së.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/