Sa kushton fruti i avokados në tregjet kosovare?

Avokadoja, një frut tropikal- ekzotik i vlerësuar dhe i dëshmuar me vlera të shumta ushqyese, tash e një kohë konsumohet në njëfarë mase edhe në Kosovë. Avokadon e përdorin, sidomos gastronomia, restorantet më elitare kosovare, por edhe familjet me gjendje më të mirë financiare, pasiqë avokado për gjepin e konsumatorit të rendomtë në Kosovë, akoma është goxha i shtrenjtë.

Ky frut mund të gjendet nëpër markete të vendit dhe tregje të ndryshme të Kosovës, kryesisht në ato që tregtohen pemë dhe perime. Ajo se çfarë e dallon avokadon e marketeve me atë të tregjeve, është çmimi dhe freskia.

Çmimi i një kilogrami të avokados nëpër markete sillet nga 5.99 euro deri në 6 euro e gjysmë. Ndërsa, në tregje çmimi i kilogramit të këtij fruti është 4 euro e gjysmë. Sipas pronarëve të marketeve në Prishtinë, avokado është një frut i cili nuk kërkohet edhe aq shumë nga qytetarët, por ka një trend shitjeje në rritje.

Reklama e sponzorizuar

Një nga menaxheret e një marketi në kryeqytet, tha për Buletinin Ekonomik se përveç në restorante, avokadoja kërkohet edhe nga qytetarët për nevojat e tyre ushqimore, për ta pasuruar ushqimin për fëmijë dhe për sallata të ndryshme.

Ndërkohë që shitësit në tregjet në Prishtinë thonë se është mjaft i konsumueshëm si frut. Edhe ata thonë se ky frut merret për ushqim pasi që ka vlera të larta ushqyese, për sallata dhe si ushqim i shëndetshëm për fëmijë. Njëri nga shitësit në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, tha se ky frut ka qëndrueshmëri, mirëpo duhet të ruhet në vende të freskëta. Sipas tij, më i mirë është kur përdoret i pjekur dhe i butë ngaqë ndryshe nuk ka shije të mirë.

Ai tutje tha se këtë frut tropikal- ekzotik, e importojnë nga vendet e nxehta, kryesisht nga vendet e Amerikës Jugore dhe atyre të Afrikës.

Ndërkaq, disa pronarë të disa marketeve në Prishtinë thanë se nuk e mbajnë fare këtë frut nëpër tezgat e tyre, pasiqë kërkesa e konsumatorëve është shumë e vogël dhe se nuk ka shitje fare.

Avokadoja është pemë ekzotike, me dukje të pazakonshme dhe të përkujton dardhën. Ka lëkurë të vrazhdë e me ngjyrë të gjelbër, por edhe brendinë e ka të butë, të shijshme e të pasur me vitamina,minerale dhe me nutrienë të tjerë. Ajo hahet e freskët. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/