Marigona Përvetica, nga Podujeva – rreth 30 kilometra larg Prishtinës, është 28 vjeç, por për shkak se është shtatshkurtër thotë se nuk ka arritur të punësohet asnjëherë.
Para 3 javësh, Marigona ka nisur punën e saj të parë në një nga restaurantet e Prishtinës.
“Për mendimin tim kjo është punë shumë e lezetshme, unë deri tash që i kam bërë tri javë punë këtu nuk kam hasur në asnjë problem, njerëzit janë shumë të respektueshëm, shumë mikpritës. E kanë një respekt, unë kur dal që t’i pres nuk ka ndonjë problem ose të ju vijë befasi kur më shohin mua”, thotë ajo.
Pronari i restaurantit, Petrit Kllokoqi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se e kishte të lehtë përshtatjen e ambientit për nevojat e Marigonës.
“E kisha një pozitë të lirë në restaurant, e cila është pozita e host-it ose mikëpritjes, dhe në këtë rast mendova për Marigonën që vetëm disa lehtësime fizike nëse ja krijojmë kjo do të jetë në gjendje si çdokush tjetër t’i përmbushë të gjitha nevojat e restaurantit, t’i presë njerëzit, t’i dërgojë te tavolina, të mirret me telefonata, me rezervime”, thotë ai.
Marigona thotë se gjatë tërë jetës është përballur me paragjykimin e njerëzve për mënyrën se si duket. Por një nga momentet më të rënda ajo thotë ta ketë përjetuar kur ka dorëzuar dokumentet për t’u regjistruar në fakultet.
“Ka qenë tmerr, kishte shumë studentë, pra numri i atyre që kanë aplikuar ka qenë tepër i madh dhe kur kam shkuar unë me nanizëm nuk e kam pasur hapsirën dhe respektin që t’i dorëzoj dokumentet dhe të dal. Më është dashur të adresohem diku tjetër për të ma bërë një zgjidhje që t’i dorëzoj dokumentet e mia edhe gjithmonë e ke pasur atë nënqëshjen e njerëzve që ‘o Zot erdhi kjo për t’i dorëzuar dokumentet’ dhe të është dukur vetja si tepricë”, thotë Marigona.
Ajo sot vijon studimet në drejtimin e Juridikut, të cilin thotë se e ka zgjedhur për t’u dalë në ndihmë personave me nevoja të veçanta.
“Këtu në Kosovë ligjet janë por nuk zbatohen dhe unë kam menduar se ndoshta dikur mund të jem në njëfarë forme një zë i njerëzve me aftësi të kufizuar, më saktësisht me nanizëm, sepse zakonisht personat me nanizëm janë pak më të shkelur se të tjerët”, thotë ajo.
Në Kosovë sipas ligjit çdo i pesëdhjeti person që punësohet duhet të jetë me nevoja të veçanta, por Kaltrina Misini nga qendra HANDIKOS thotë se ky ligj është larg zbatimit të dëshirueshëm.
“Në fakt çështja e punësimit po vazhdon të mbetet një sfidë mjaft e madhe për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, ndonëse diçka e tillë rregullohet me ligjin për aftësim, riaftësim dhe punësim, mirëpo deri tash nuk është se ka gjetur zbatim të plotë dhe siç do të duhej realisht. Këta persona përveç se mbesin jashtë tregut të punës, janë edhe të paragjykuar lidhur me atë se a mund të kryejnë një punë apo jo”, thotë ajo.
Marigona dhe zoti Kllokoqi bëjnë thirrje për punësim të këtij komuniteti.
“Është një gjë shumë e mirë që unë iu kam hequr si obligim edhe familjes në njëfar forme. Kjo të bën të ndihesh i vlerësuar edhe prej familjes edhe që ke aftësi të bësh punë të tjera”, thotë Marigona.
“Unë ndjej keqardhje për ata që nuk i marrin këta persona në punë, është e dhimbshme në shoqërinë tonë që as shteti nuk ua zgjat dorën. Në ditën e parë kur kam biseduar me Marigonën dhe një shoqe të saj më kanë dhënë shumë emocion, të njejtin emocion e kam edhe sot. Më ka ardhur keq që as shteti nuk u qëndron afër, përndryshe në familjet e tyre i kanë edhe kushtet ekonomike të rënda. Nuk kam menduar vetëm të dërgoj ndonjë lodër a dhuratë dhe të bëjë marketing, përkundrazi kam menduar si ta afroj të ja ndryshoj jetën që mos të rrijë e mbyllur ose e izoluar dhe Marigona sot e ka gjetur veten me një rreth të ri, me shoqëri të re”, thotë zoti Kllokoqi.
Në Kosovë sipas HANDIKOS nuk ka të dhëna zyrtare të numrit të personave me nevoja të veçanta, por duke marrë për bazë të dhënat nga regjistrimi e fundit i popullsisë ky numër shkon mbi 78 mijë. Ndërkohë që të dhënat e sakta mungojnë edhe për numrin e të punësuarve nga kjo kategori e shoqërisë.