Rama: Situata e çmimeve dhe furnizimit me naftë dhe energji është shumë e vështirë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot në një konferencë për shtyp me gazetarët për rritjen e çmimeve dhe situatën në Shqipëri, të ndikuara nga konflikti në Ukrainë.

Rama është shprehur se rritja e çmimit të naftës nuk varet nga qeveria duke shtuar se çmimet po rriten kudo në Evropë.

Ai shtoi se Europa është në luftë, duke theksuar se edhe pse në Shqipëri nuk luftohet ushtarakisht, pasojat ekonomike mund të ndihen.

Reklama e sponzorizuar

Rama pranoi se situata e çmimeve dhe furnizimit me naftë dhe energji është shumë e vështirë dhe bëri thirrje që qytetarët të përgatiten për çdo skenar pasi vendi është në një situatë të panjohur, të ngjashme me situatën e pandemisë.

Po ashtu, Rama u shpreh se duhet të përgatitemi edhe për shkurtime dramatike me furnizimet me energji dhe naftë, edhe pse sipas kryeministrin ky do të ishte skenari me dramatikë për vendin.

“Duhet të përgatitemi edhe për këtë. Edhe kjo mund të vijë, edhe pse ky është skenari më dramatik sepse zëvendësimi i burimeve që për kaq shumë vite janë siguruar nga Rusia, është jashtëzakonisht i komplikuar”, tha Rama.

Rama ka shtuar se qeveria do të përgatis një plan masash që përmban edhe mundësitë e kursimit të energjisë.

Kryeministri gjithashtu ka njoftuar krijimin e një komiteti të posaçëm ndërministror për përballimin e pasojave të luftës.

Rama tha se “detyrimi për të bërë çmos që lufta të mos përhapet ushtarakisht është i pashmangshëm.”

“Të gjitha këto shtrëngime që unë uroj dhe do të bëjmë çmos të mos kthehen në sakrifica reale të natyrës ekonomike kanë një qëllim, të mbrojmë jetën, shëndetin dhe më të rëndësishmen, Shqipërinë nga përshkallëzimi i agresionit deri në ushtarak”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Shqipëria është pjesë e këtyre vendeve që po bëjnë të njëjtën përpjekje dhe qëllimi është të mbrohemi”.

“Qeveria do të bëjë çmos të mbrojë njerëzit tanë. Nuk është absolutisht një film ajo që shikojmë në ekrane orë e çast. Është një luftë reale si e kemi parë në filmat e Luftës së Dytë Botërore apo në vitin famëkeq të përpjekjes shtazarake për pastrim etnik në Kosovë. Por kjo ka brenda misionin e një fuqie ushtarake të pangelizhueshme që mund të përshkallëzojë verbërisht agresionin e vetë edhe brenda kufijve të NATO-s”, theksoi Rama.

Rama gjithashtu ka shtuar se rritja e çmimit të energjisë po përballohet nga buxheti i shtetit në mënyrë që mos të reflektohet në tregun e brendshëm. Ai ka thënë se kjo kosto është shumë e lartë për buxhetin e shtetit.

Ai ka theksuar se Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që nuk ka rritur çmimet e energjisë.