Rizvanolli: Kemi menduar se me 42 milionë euro do të mund ta përballonim krizën energjetike deri në pranverë, por gjendja është përkeqësuar

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, rreth punëve të kryera nga kjo ministri gjatë vitit të kaluar dhe planeve qeverisëse gjatë vitit 2022.

Ajo para anëtarëve të këtij komisioni, deklaroi se si ministri kanë menduar që me ndarjen e 42 milionë eurove do të mund ta përballonin krizën energjetike deri në pranverë dhe në këtë mënyrë të mos preken fare qytetarët. Por, sipas saj gjendja vetëm sa u përkeqësua me fillimin e vitit.

Kështu, ajo përmendi disa prej masave emergjente që Komiteti Teknik, i përbërë nga zyrtarë të shumë dikastereve qeveritare relevante, kishte ndërmarrë për ta përballuar krizën energjetike.

Reklama e sponzorizuar

Si vendimin më me rëndësi që ajo përmendi ishte ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, që sipas saj shpenzonin shumë energji elektrike, vendim ky që thotë se kurseu miliona euro nga konsumi i energjisë.

“Është menduar që me 42 milionë euro të dilnim në pranverë pa e ndjerë fare qytetari krizën. Gjendja është përkeqësuar. Janë vendosur masat emergjente, ku Komiteti Teknik ka pasur 12 takime deri më tani. Një vendim me rëndësi që ka rrjedh nga komuniteti teknik emergjent, ka qenë ndalimi i prodhimit të kriptovalutave të cilat shpenzonin energji elektrike. Si rrjedhojë e këtij vendimi vlerësohet se janë kursyer miliona nga konsumi i energjisë elektrike”,u shpreh Rizvanolli.

Rizvanolli shtoi tutje se edhe korniza ligjore e ministrisë në rastet e përballjes me kriza të tilla, nuk ka qenë adekuate dhe ka qenë sfidë në vete. Ajo tha se legjislacioni në fuqi, jo gjithmonë ka dhënë udhëzime të sakta në këto raste për të dalë nga kriza.

“Një arsye për këtë ka qenë fakti që ka pasur mungesë të energjisë në treg. Çmimet kanë arritur në nivele të papara. Legjislacioni jo gjithmonë ka dhënë udhëzime të sakta për të dalë nga kriza. Përderisa jemi përballur me krizën energjetike ka vazhduar puna edhe në aktivitete të tjera të ministrisë sonë”, vazhdoi ajo.

Gjithashtu, ministrja Rizvanolli tregoi se tani për tani është në proces draftimi i energjisë për dhjetë vitet e ardhshme dhe se si ministri kanë filluar me një analizë të opsioneve më të mira për furnizim me energji elektrike, duke shtuar se në këtë drejtim kanë mbështetje edhe nga Universiteti Amerikan.

“Në janar është bërë e qartë se disa nga supozimet nga analiza tona nuk vlejnë. Supozimi i ekspertëve ka qenë se në pranverë çmimet do të kthehen normale. Mirëpo në janar, dhe pas luftës në Ukrainël është  bërë e qartë se nivele të tilla të çmimeve nuk do të ketë. Prandaj ne kemi kërkuar të bëhet një analizë tjetër”, u shpreh Rizvanolli.

Ndërkohë, për projektet e efiçencës së energjisë, Rizvanolli tha se Qeveria ka pasur historikisht probleme në këtë drejtim për shkak të ndërrimeve të shpeshta të qeverive.

Sfidë, sipas saj në këtë rast, ka qenë edhe rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, ndonëse shumica e këtyre projekteve janë të financuara edhe nga donatorët.

Por, ajo theksoi se ministria e Ekonomisë do të punojë që në vitet e ardhshme, masat e efiçiencës përmes Fondit Efiçient dhe investimeve, të zgjerohen edhe në sektorin privat dhe atë rezidencial.

“Një sfidë që është paraqitur në sektorin e efiçencës ka qenë edhe rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore. Sa i përket buxhetit, ne kemi një buxhet por shumica janë të financuara edhe nga donatorët. Në fushën e efiçencës natyrisht që kemi nevojë për investime. Në këtë aspekt, dua të veçojë se Fondi i efiçencës ka pasur shumë vonesa edhe në realizim të projekteve. Në vitet e ardhshme pritet që masat e efiçences përmes fondit efiçent dhe investimeve të zgjerohen edhe në sektorin privat dhe rezidencial”përfundoi ajo. /Buletini Ekonomik/